Pse nuk paguan KQZ? Teliti: Vota e diasporës, një proces me faturë të lartë dhe me shumë pikëpyetje ligjore

Eksperti i ekonomisë, Dorian Teliti, i ftuar në emisionin e mëngjesit ‘Kafe Shqeto’ në Syri TV, foli rreth mungesës së transparencës në zbatimin e kontratës për votën e diasporës, proces të cilin ai e cilëson si një “justifikim politik” që mund të përballet me pasoja ligjore serioze.

Sipas Telitit, ndërsa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u tregua i shpejtë në zyrtarizimin e rezultatit të zgjedhjeve, tani ngurron të firmosë faturën financiare për kompaninë DHL, e cila ka administruar procesin e votimit të emigrantëve shqiptarë.

Dorian Teliti: Kjo vërteton diçka. Atë që është problematikë e 3 dekadave tranzicion. Që kur vjen puna në qëndrimet politike që nuk është se kanë një vlerë ligjore, të gjithë bëjnë sipas porosisë. Dhe porosia cila ishte? Të njihen zgjedhjet...dhe Celibashi e kreu shumë mirë.

U njohën zgjedhjet, i zyrtarizoi. Kur vjen puna pastaj tek përgjegjësia ligjore e cila është zbatimi i një kontrate që edhe sipas legjislacionit shqiptar ka të njëjtën vlefshmëri me ligjin de zbatimin e tij, aty pas dhe njerëzit e dinë shumë mirë, duhet të jemi të kujdesshëm. Sepse sot ne me të vërtetë mund ta firmosim këtë kontratë, por nesër vjen KLSH, vjen auditi i radhës, ja solli një ekspertim financiar, por nesër mund të jetë edhe një komision hetimor parlamentar i cili do bëjë verifikimin e të gjithë ecurisë të procesit të votës së diasporës, ku pjesë kyçe e saj do të jetë patjetër edhe zbatimi i kontratës së saj të firmosur nga vetë KQZ me operatorin konkret, DHL, për çfarë i përket gjithë detyrimeve që kishte dhe privilegji final që është paraja.

I duan 9 milion euro? Le ti marrin nëse kanë bërë punën. A është KQZ ajo që tha se vota e diasporës është vota e shkëlqyer, është vota e drejtë, është votë e lexuar siç duhej, ishte votë e shkuar siç duhet, e dorëzuar siç duhet, e marrë në dorëzim siç duhet, e ardhur në KQZ siç duhet, e numëruar siç duhet. A u thanë këto gjëra? Të firmosen, pse nuk firmosen sot?

Çdo të thotë të mos firmosësh detyrimin financiar, pagesën e një procesi. Ama, kur ti ke frikën, kur ti ke ndrojtje se ai proces nuk është i rregullt por ti thjesht ke bërë justifikim politik por e di shumë mirë që në aspektin ligjor ka shkelje nga më të ndryshmet, aty pastaj frika hyn. Dhe frika tashmë i ka kapur, edhe KQZ dhe kryekomisionerin dhe ekipin e tij të cilët mbakan prej muajsh fatura të ardhura nga operatori DHL.