VIDEO/ Kikia: Kryeministrit 'i kanë bërë magji', sa fillon sezoni kujtohen fadromat të bredhin nëpër plazhe

Gazetari Mentor Kikia në një intervistë për ‘Kafe Shqeto’ në Syri Tv ka kritikuar aksionin e qeverisë për prishjen e ndërtimeve gjatë kulmit të sezonit turistik. Ai theksoi se, nëse objektet janë ndërtuar në mënyrë të paligjshme, ato duhej të prishen, por shtoi se problemi kryesor qëndron tek mungesa e përgjegjësisë së atyre që i lejuan këto ndërtime.

“Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për çadra lokalesh, por për objekte që kanë kërkuar ndihmën e tritolit për t’i rrëzuar për tokë. Këto ndërtime janë realizuar për vite me radhë në hapësira të mëdha, dhe askush nuk është përgjegjës për lejen e tyre,” u shpreh Kikia.

Ai shtoi se shkatërrimi i këtyre objekteve sjell kosto për të gjithë: për ata që i ndërtuan, për ata që i prishën, dhe për pastrimin e mjedisit, duke nxjerrë në pah një dështim të qeverisë për menaxhimin e situatës.

Gazetari kritikoi edhe kohën e zgjedhur për aksionin: “Duket sikur i kanë bërë magji kryeministrit, sepse gjithmonë fillojmë e i prishim këto gjatë verës, duke krijuar panik dhe imazhe të këqija për qytetarët dhe turistët.”

Historikisht, sipas Kikias, fadromat kanë shkatërruar hapësira publike dhe private, duke sjellë zhurmë dhe kaos në plazhe, duke reflektuar një planim të dobët dhe mungesë vizioni nga qeveria

Kikia:

Padyshim që nëse një objekt është ndërtuar në mënyrë të paligjshme, do duhet të prishet, padyshim që duhet të kërkohet më tej edhe përgjegjësia që kush i lejoi ato të ndërtohen, kam parasysh këtu jo vetëm çadra lokalesh por flasim për objekte që është kërkuar ndihma e tritolit për t’i rrëzuar për tokë, pra ishin ndërtuar për vite me radhë, ishin ndërtuar në hapësira të mëdha e këtu duhet të dalin edhe përgjegjësit që e kanë lejuar këtë ndërtim sepse nuk është sukses të shkatërrosh.

Sepse tek e fundit shkatërrimi është kosto, kosto për ata që e realizuan, kosto edhe për atë që e shkatërroi, kosto për pastrimin e për mjedisin.

Ose kur ndërmerren këto, padyshim që më duket sikur ka një gjë këtu, sikur i kanë bërë magji kryeministrit, sepse kemi traditë që gjithmonë fillojmë e i prishim këto në periudhën e verës, ndoshta kemi një mani që ta shohin të tjerët që ne, ja i prishim këto llamarinat.

Mbaj mend historikisht, fillonte sezoni kujtoheshin këto fadromat të bridhnin nëpër plazhe, të gjenin ndonjë kasolle ndonjë tendë e të krijonin atë zhurmën, atë panikun, atë imazhin e keq.