UNIFIL akuzon Izraelin: Dronët hodhën granata pranë trupave të OKB-së
Forca e Përkohshme e Kombeve të Bashkuara në Liban (UNIFIL) ka akuzuar ushtrinë izraelite për një nga sulmet më serioze ndaj personelit të saj që nga marrëveshja e ndërprerjes së armiqësive në nëntor të vitit të kaluar.
Sipas një deklarate të lëshuar të mërkurën, dronë izraelitë hodhën katër granata pranë paqeruajtësve të UNIFIL-it të martën në mëngjes, ndërsa ata po punonin për të hequr barrikadat që pengonin aksesin në një pozicion të OKB-së, në juglindje të fshatit Marwahin.
“Ky është një nga sulmet më serioze ndaj personelit dhe aseteve të UNIFIL-it që nga marrëveshja e ndërprerjes së armiqësive të nëntorit të kaluar,” thuhet në deklaratën zyrtare.
Sipas UNIFIL-it, një nga granatat shpërtheu brenda një rrezeje prej 20 metrash, ndërsa tri të tjera ranë brenda një distance prej rreth 100 metrash nga personeli dhe automjetet e OKB-së. Për fat të mirë, nuk raportohet për viktima apo të lënduar.
UNIFIL gjithashtu theksoi se Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) ishin informuar paraprakisht për veprimtarinë e pastrimit të rrugëve nga ana e trupave të OKB-së.
Ngjarja ka rritur tensionet përgjatë kufirit jugor të Libanit, në një kohë kur situata e sigurisë në rajon mbetet e brishtë. Deri më tani, ushtria izraelite nuk ka dhënë një koment zyrtar mbi akuzat e UNIFIL-it.