VIDEO/ Peka: Kina, Rusia dhe India mund të afrohen deri në një farë mase, dy pole kryesojnë

 

Eksperti i çështjeve të sigurisë, njëkohësisht edhe drejtuesi i Departamentit të Sigurisë në PD, Avenir Peka i ftuar në Edicionin ‘Ora 19’ në SYRI TV, ka folur në lidhje me samitin e Shangait në Kinë.

Gjatë bisedës me moderatoren Armela Ferko, Peka deklaroi se, bota aktualisht ka dy pole, ai i SHBA-së dhe Kinës, secili prej të cilëve ndiqet nga vendet mike.

‘Periudha e viteve ’90 e një bote unilaterale ku SHBA-të ishin përgjegjës për paqen në gjithë botën ka mbaruar. Jemi drejt një bote me shumë pole, por e vërteta është se dy pole kryesore janë.

Njëri pol është SHBA-ja dhe satelitët e saj dhe nga ana tjetër është poli i Kinës, që duket se ka një bashkërendim, ose krijimit të një poli Kino-Rus dhe shteteve të tjera.         

Më pas janë dhe fuqitë e mesme, siç janë India, për shkak të peshës politike, ekonomike, ushtarake. Shtete si Brazili, India, Irani, Turqia janë minopole, pra janë faktorë rajonal dhe jo global.

Ndryshe nga po themi, koalicioni i vendeve të paangazhuara që ka qenë në kohën e luftës së ftohtë që drejtohej nga Jugosllavia dhe India, tani ecim me parimin e frenemisë, që do të thotë edhe miq edhe armiq, ose nuk kam as mik e as armik.

Dhe rasti tipik është rasti i Turqisë. Turqia nuk ka mbajtur sanksione ndaj Rusisë, por mbështet integritetin territorial të Ukrainës.

Kryeministri indian në njërën anë tregon vendosmëri në tregtinë e naftës me Rusisë, dhe nga ana tjetër pak orë para takimit me presidentin rus, ai flet në telefon me presidentin Ukrainas dhe ofron ndihmën e tij për të negociuar për një paqe.’,- tha Avenir Peka në SYRI TV.