Drama e merkatos, Laporte nuk rikthehet dot në Bilbao
Endrra për të parë sërish Aymeric Laporten me fanellën e Athletic Bilbaos është shuar të paktën për momentin. Pas një tratative të gjatë dhe të ndërlikuar, transferimi i mbrojtësit spanjoll nga Al Nassr te baskët nuk u finalizua, pasi dokumentet e nevojshme nuk mbërritën në kohë. Me sistemin TMS tashmë të mbyllur, regjistrimi i lojtarit në këtë merkato verore është i pamundur.
Klubi bask po shqyrton çdo mundësi për të zgjidhur situatën, por skenari i ngjan shumë rastit të famshëm të David De Gea-s në vitin 2015, kur kalimi i tij te Real Madridi dështoi për shkak të vonesave burokratike. Pa një ndërhyrje të FIFA-s, operacioni do të mund të rifillojë vetëm në sesionin dimëror të merkatos.
Laporte, 30 vjeç, kishte arritur një marrëveshje trevjeçare për t’u rikthyer në ‘San Mamés’, tetë vite pas largimit drejt Manchester City-t. Pas suksesit në Premier League, mbrojtësi kaloi në Arabinë Saudite, ku me Al Nassr firmosi një kontratë deri në vitin 2026 me vlerë 25 milionë euro neto në sezon. Klubi saudit kishte shpenzuar 27,5 milionë euro për kartonin e tij te City.
Negociatat për rikthimin e tij në Bilbao kanë qenë të vështira, pasi duhej gjetur një zgjidhje që të kënaqte të gjitha palët. Megjithatë, në fund, ishte koha ajo që vendosi: dokumentet u dërguan me vonesë dhe rikthimi i Laporte tek Athletic shtyhet për të paktën disa muaj.