Ten Hag ndihet ‘i prerë në besë’, Leverkuseni e dëmshpërblen me 6 milionë euro veç ‘ta hiqte qafe’
Vetëm tri ndeshje i mjaftuan Bayer Leverkusen për të ndërprerë bashkëpunimin me trajnerin holandez Erik Ten Hag, i cili u emërua këtë verë në stolin e kampionëve të Gjermanisë. Sipas raportimeve të “Bild”, klubi gjerman është gati t’i paguajë teknikut një dëmshpërblim prej 6 milionë eurosh, si kompensim për ndërprerjen e parakohshme të kontratës.
Ten Hag, i njohur për eksperiencën e tij tek Ajaxi dhe Manchester United, u shpreh përmes agjencisë së tij menaxhuese mbi këtë vendim të papritur:
“Këtë verë u larguan lojtarë kyç që kishin qenë pjesë e sukseseve të klubit. Nuk më është dhënë as koha dhe as besimi i nevojshëm për të ndërtuar një projekt të ri. Kam pasur ndjesinë se marrëdhënia nuk bazohej në një besim të vërtetë reciprok”.
Megjithëse i zhgënjyer nga mënyra e ndarjes, tekniku holandez nuk harroi të falënderonte tifozët e Leverkusenit:
“Jam mirënjohës për mbështetjen e tyre dhe u uroj skuadrës më të mirën për pjesën e mbetur të sezonit”.
Ky zhvillim vjen si një surprizë e madhe, duke pasur parasysh pritshmëritë e larta pas sezonit historik të Leverkusenit me Xabi Alonson në stol, kur skuadra fitoi titullin e parë të Bundesligës. Tashmë, drejtuesit e klubit gjerman duhet të gjejnë një pasues të denjë për të mbajtur gjallë ambiciet e mëdha në kampionat dhe në Evropë.