Kim Jong Un mbërrin në Pekin me tren, i shoqëruar nga vajza e tij

Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, mbërriti sot në Pekin me trenin e tij karakteristik, ku u prit nga zyrtarë të lartë të qeverisë kineze, përfshirë Ministrin e Jashtëm Wang Yi.

Sipas mediave ndërkombëtare, një tren me flamurin e Koresë së Veriut dhe elementë identifikues të trenit të Kim-it është parë duke hyrë në kryeqytetin kinez, në shinat hekurudhore të Pekinit.

Kim shprehu falënderime ndaj Presidentit Kinez Xi Jinping për mikpritjen, duke theksuar rëndësinë e marrëdhënieve dypalëshe mes dy vendeve aleate.

Në këtë vizitë, Kim është i shoqëruar edhe nga vajza e tij, Ju Ae, sipas raportimeve të agjencisë së lajmeve Yonhap, që citon inteligjencën e Koresë së Jugut. Kjo nuk është hera e parë që vajza e liderit verikorean shfaqet në evente të rëndësishme, përfshirë parakalime ushtarake dhe inspektime armësh, duke nxitur spekulime për një përfshirje të saj të mundshme në strukturën e ardhshme drejtuese të vendit.

Vizita e Kim Jong Un në Pekin vjen në një moment të ndjeshëm për rajonin, me zhvillime gjeopolitike në Azi dhe përpjekje për rikonfirmimin e aleancave strategjike.