Juventusi, sulm për titull, mbi 60 milionë të shpenzuar në 24 orë

Juventusi ka ndezur fantazinë e tifozëve me një fund merkatoje spektakolar. Brenda vetëm 24 orëve, klubi bardhezi ka shpenzuar mbi 60 milionë euro për të forcuar repartin ofensiv, duke i dhënë në dorë trajnerit Igor Tudor një arsenal të vërtetë për të synuar titullin.

Në fakt, edhe pse nuk arriti të marrë Randal Kolo Muani, Juve arriti dy goditje të bujshme: Loïs Openda dhe Edon Zhegrova. Belgu iu bashkua bardhezinjve me një marrëveshje që arrin në 45 milionë euro, ndërsa për kosovarin, i cili së fundmi ka marrë edhe shtetësinë shqiptare, duke mos zënë vend si ekstrakomunitar, u paguan rreth 18.5 milionë euro.

Këto afrime i shtohen një sulmi që tashmë numëron gjashtë referenca të qarta, duke përfshirë edhe Dusan Vlahovic, i cili pritej të largohej për t’i hapur rrugë kthimit të Kolo Muanit, por që vendosi të qëndronte në Torino pavarësisht kontratës që i skadon së shpejti. Ndërkohë, francezi përfundoi te Tottenhami.

 

Për Tudor kjo është një dhuratë e madhe: Openda e Zhegrova i japin mundësi të krijojë skema të ndryshme taktike, në varësi të kundërshtarit dhe formës së lojtarëve. Zhegrova shihet si lojtari më “hibrid” i repartit, në gjendje të luajë si anësor i djathtë në një 3-5-2, por edhe si mbështetje për sulmuesit në 3-4-1-2 ose 3-4-2-1. Në këtë rast, konkurrenca bëhet e fortë, me Yildiz që mbetet i paprekshëm dhe Conceiçao (i blerë për 32 milionë) që gjithashtu shihet si titullar.

Nga ana tjetër, Openda mund të shërbejë si e dyta pikë referimi apo edhe si një 9 fals, duke i dhënë më shumë fleksibilitet sulmit. Por “pistoni” kryesor për golat mbetet një duel i hapur mes Jonathan David dhe Vlahovic.

Me këtë arsenal, Juventusi tashmë duket i pajisur për një sezon ku fjala “Scudetto” nuk është më thjesht dëshirë, por një objektiv i prekshëm.