Donald Trump ka qenë miku më i madh i Indisë. Si shkoi gjithçka keq?

Vetëm disa muaj pas fillimit të mandatit të dytë të presidentit Donald Trump, një nga partneritetet më të rëndësishme strategjike të Shteteve të Bashkuara është në krizë.

Marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Indisë janë në pikën më të ulët në një çerek shekulli. Gjërat janë aq keq, saqë kryeministri indian Narendra Modi raportohet se ka refuzuar t'u përgjigjet thirrjeve telefonike të Trump-it për më shumë se dy muaj.

Në ditët e fundit, Trump e quajti tregtinë me Indinë një "katastrofë krej të njëanshme" dhe u raportua se nuk planifikon më të vizitojë Indinë më vonë këtë vit për një samit të partnerëve të Quad-it (India, SHBA, Australia dhe Japonia).

Kaq keq, kaq shpejt

Kjo nuk ishte mënyra si pritej të ndodhte. Shumë në Nju Delhi u gëzuan kur Trump fitoi zgjedhjet vitin e kaluar. Modi e uroi "mikun" e tij në X, bashkë me foto ku të dy përqafoheshin dhe shtrëngonin duart.

Ministri i Jashtëm i Indisë, S. Jaishankar, u tha gazetarëve se ndërsa vende të tjera mund të ishin "nervoze" për rikthimin e Trump-it, India nuk ishte.

I sigurt, Modi shkoi në Uashington për të takuar Trump disa ditë pas rikthimit të këtij të fundit në detyrë. Takimi nuk shkoi mirë.

Në prag të takimit, Modi u turpërua nga imazhet tronditëse të shtetasve indianë, të lidhur me pranga dhe zinxhirë, duke u dëbuar nga SHBA me një avion ushtarak.

Në Zyrën Ovale, ai premtoi se do të blinte më shumë armë, naftë dhe gaz amerikan, dhe kërkoi që Trump të mos vendoste tarifa ndëshkuese ndaj Indisë. Modi nuk arriti të merrte atë zotim.

Pak javë më vonë, Trump shpalli se India do të goditej me një tarifë prej 27%, shumë më e lartë se 10% që iu vendos Kinës, nëse nuk mund të negocionte diçka më të mirë.

Kriza e Kashmirit

Pa dëshirë, Nju Delhi filloi bisedimet tregtare. Në fund të prillit, zv/presidenti i SHBA-së, JD Vance, vizitoi Indinë dhe të dyja palët dhanë sinjale pozitive për një marrëveshje. Por ndërsa Vance ishte në qytet, India u përfshi në një krizë të re.

Me 22 prill, terroristët vranë 26 persona, kryesisht turistë hindu, në Kashmir, një zonë prej kohësh e përfshirë nga konfliktet e vazhdueshme mes Indisë dhe Pakistanit. Qeveria Modi premtoi se do të përgjigjej me forcë, ashtu si kishte bërë edhe në të kaluarën pas incidenteve të ngjashme.

Me 7 maj, India bombardoi ato që pretendonte se ishin kampe militantësh në Pakistan dhe në Kashmirin e administruar nga Pakistani. Pasoi një konflikt i përshkallëzuar dhe i paparashikueshëm, ndërsa të dyja palët përdorën dronë dhe raketa për të sulmuar njëra-tjetrën.

Të alarmuara, qeveritë në mbarë botën i bënë thirrje dy shteteve të armatosura me armë bërthamore të ndalonin armiqësitë para se gjërat të dilnin jashtë kontrollit. Herët në mëngjesin e 10 majit, ata ranë dakord për një armëpushim.

Trump vetëshpallet ndërmjetës paqeje

Para se qeveritë indiane apo pakistaneze të thoshin ndonjë gjë, Trump ndërhyri për të marrë meritat.

Në rrjetet sociale, ai shpalli se të dyja palët kishin arritur një marrëveshje. Të nesërmen, ai pretendoi se së shpejti do të uleshin me të si ndërmjetës dhe do të gjenin një zgjidhje për konfliktin e Kashmirit.

Islamabadi ishte i entuziazmuar nga ky rezultat. Nju Delhi, ndërkohë, u tërbua.

Qëndrimi i kahershëm i Indisë është se çështja e Kashmirit duhet të zgjidhet në mënyrë bilaterale, pa përfshirjen e palëve të treta. SHBA e ka pranuar këtë pozicion për më shumë se 20 vjet. Tani dukej se Trump po merrte një qasje tjetër.

Kjo e vuri Modin në një situatë të vështirë. Duke dëshiruar të ruante një partneritet të dobishëm reciprok dhe të shmangte tarifat ndëshkuese, ai nuk donte të zemëronte Trump-in.

Por nuk mund të pranonte pretendimet e Trump-it pa hedhur poshtë një parim themelor të politikës indiane. Kështu, Modi telefonoi Uashingtonin dhe shpjegoi se nuk do të pranonte ndërmjetësimin mbi Kashmirin.

Pika e fundit që derdhi gotën

Ndërkohë, Pakistani pa një mundësi për të fituar favorin e Uashingtonit dhe për të futur një përçarje mes SHBA-së dhe Indisë.

Duke e ditur se Trump lakmonte një Çmim Nobel për Paqen, Islamabadi e nominoi atë për rolin e tij të supozuar në përfundimin e konfliktit.

I entuziazmuar, Trump i telefonoi Modit me 17 qershor dhe i kërkoi të bënte të njëjtën gjë. Edhe më keq, Trump i kërkoi Modit të ndalonte në Uashington në rrugën e kthimit nga samiti i G7 në Kanada dhe të takohej me shefin e ushtrisë pakistaneze, Asim Munir.

Sipas një raporti të fundit, kjo ishte pika e fundit që derdhi gotën për Modin. Ai refuzoi kategorikisht të dyja kërkesat. Thuhet se që atëherë të dy burrat nuk kanë folur më.

I zemëruar, Trump reagoi duke ndëshkuar Indinë për vazhdimin e blerjes së naftës ruse, duke e rritur normën e tarifës në 50% dhe duke shtyrë bisedimet tregtare.

Dilema e Nju Delhit

Veprimet e Trump-it kanë zemëruar qytetarët e thjeshtë indianë, të cilët kërkojnë veprim, por qeveria Modi nuk ka shumë opsione të mira.

Të dorëzohesh përballë shantazhit do ta bënte Modin, të quajtur nga kundërshtarët politikë "Narender Surrender", të dukej i dobët. Por asnjë fuqi tjetër e madhe nuk mund t'i ofrojë Indisë atë që i nevojitet në aspektin e tregjeve, investimeve, teknologjisë, armëve dhe mbështetjes diplomatike.

Me marrëdhëniet SHBA–Indi të tendosura, Nju Delhi po punon fort për të stabilizuar marrëdhënien e tij me Kinën, e cila ka qenë e tensionuar që nga përplasjet e përgjakshme në kufi në vitin 2020.

Me 31 gusht, Modi shkoi në Kinë për herë të parë pas shtatë vitesh për këtë qëllim, duke i shtrënguar dorën presidentit Xi Jinping. Por megjithëse Xi theksoi nevojën për marrëdhënie miqësore, ai tha se "elefanti dhe dragoi duhet të vallëzojnë bashkë", mes Indisë dhe Kinës aktualisht ka pak besim.

Modi ka më shumë besim tek Rusia. Në Kinë, Modi dhe presidenti rus Vladimir Putin raportohet se folën për gati një orë në limuzinën e Putinit. Dhe Modi do ta presë udhëheqësin rus për bisedime të tjera në Indi më vonë këtë vit. Megjithatë, Rusia mbetet e izoluar në Europë, me mjete të kufizuara për të ndihmuar.

Vende të tjera, si Japonia, ku Modi ndaloi gjatë rrugës për në Kinë, mund ta ndihmojnë gjithashtu Indinë të përballet me krizën aktuale. Por ato nuk kanë peshën e nevojshme për ta zgjidhur atë.

Nëse Modi nuk gjen një mënyrë për të rifituar Trump-in, vitet e ardhshme mund të jenë shumë të vështira për Indinë. / The Conversation - Syri.net