'Si Sharon Stone te 'Basic Instinct'/ Fotoja e panjohur e Margarita Xhepës në vitin ’65

Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit (AQSHF) ka publikuar një foto të rrallë nga filmi shqiptar “Vitet e Para” (1965), ku aktorja e njohur Margarita Xhepa shfaqet në një pozë joshëse, duke e vendosur përballë një prej skenave më ikonike të kinemasë botërore – interpretimit të Sharon Stone në filmin “Basic Instinct” (1992).

Në postimin e shpërndarë në rrjetet sociale, AQSHF thekson se fotoja e Xhepës është marrë nga arkivi i saj, konkretisht nga filmi i regjisorit Kristaq Dhamo, me skenar të Fatmir Gjatës. Ndërsa krahas saj qëndron imazhi i famshëm i Stone, nën regjinë e Paul Verhoeven dhe skenarin e Joe Eszterhas.

“Sepse ne jemi Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit, ose kinemaja që s’ka mbaruar kurrë”, shkruhet në postimin shoqërues, duke theksuar vazhdimësinë e historisë së kinemasë shqiptare në raport me botën.

Fotoja e Margarita Xhepës vlerësohet si e veçantë, pasi përfaqëson një imazh të guximshëm dhe sensual, ndryshe nga modeli i përmbajtur që lejohej në kinemanë e realizmit socialist. Ky paralelizëm vizual vjen si një reflektim mbi fuqinë e figurës femërore në ekran dhe sfidimin e kufijve artistikë në epoka të ndryshme.