Operacion antidrogë në Greqi: Arrestohen dy shqiptarë në Heraklion, u kapën me mbi 1 kg kokainë

Departamenti i Narkotikëve i Nëndrejtorisë për Ndjekjen dhe Hetimin e Krimeve në Heraklion ka goditur një tjetër rast të trafikut të drogës, duke arrestuar dy shtetas shqiptarë të dyshuar si shpërndarës të kokainës.

Gjatë operacionit, efektivët e antidrogës kanë sekuestruar 1 kilogram e 92 gramë kokainë, e cila u gjet si në posedim të të arrestuarve, ashtu edhe në banesat e tyre.

Të arrestuarit janë dy shtetas shqiptarë, përkatësisht 41 dhe 52 vjeç, të cilët dyshohet se po përgatiteshin të hidhnin në treg një sasi të madhe të lëndës narkotike.

Burime nga policia greke bëjnë me dije se të dy personat nuk janë emra të panjohur për drejtësinë. Ata kanë qenë të përfshirë edhe më parë në raste të trafikimit të drogës dhe kanë vuajtur dënime me burg për të njëjtën vepër penale.

Hetimet paraprake për këtë rast po vijojnë nga Departamenti i Narkotikëve në Heraklion, ndërsa autoritetet po punojnë për të zbuluar rrjetin e mundshëm të shpërndarjes së drogës dhe lidhjet e tyre të mëtejshme.