Autoriteti Palestinez mirëpret planet belge për njohjen e shtetësisë

Ministria e Jashtme palestineze, që drejtohet nga Autoriteti Palestinez, i ka mirëpritur planet e qeverisë belge për ta njohur një shtet palestinez.

Të martën, ministri i Jashtëm i Belgjikës, Maxime Prevot, tha se vendi i tij do ta bënte këtë në Asamblenë e Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), më vonë gjatë shtatorit, raporton DPA.

Megjithatë, Prevot tha se vendimi do të hynte në fuqi vetëm pasi të jetë liruar pengu i fundit nga Gaza, dhe pasi të jetë çmilitarizuar Hamasi, grup palestinez i shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga Bashkimi Evropian.

“Ky qëndrim parimor është plotësisht në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, rezolutat e OKB-së dhe mbrojtjen e zgjidhjes me dy shtete, dhe përfaqëson mbështetje jetike për arritjen e një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme”, shkroi Ministria e Jashtme palestineze në platformën X.

“Ministria u bën thirrje të gjitha shteteve që ende nuk e kanë njohur Shtetin e Palestinës, ta bëjnë këtë urgjentisht”, shkroi më tej ajo.

Njohja e shtetësisë do të “forconte përpjekjet praktike për të ndalur krimet e gjenocidit, dëbimin me forcë, urinë dhe aneksimin nga Izraeli, duke hapur një horizont të vërtetë politik për të zgjidhur konfliktin dhe për t’i dhënë fund okupimit izraelit të Shtetit të Palestinës”, u tha në deklaratën e Ministrisë së Jashtme palestineze.