'Të gjithë specialistë, askush profesionist'/ Tare: Qeveria promovon kaosin, jo cilësinë! Turistët largohen të zhgënjyer nga Shqipëria
Auron Tare, specialist i trashëgimisë kulturore, nga studioja e “Kafe Shqeto” ka ngritur shqetësimin se Shqipëria ndodhet përballë një krize të thellë cilësie në sektorin e turizmit, pavarësisht rritjes së ndjeshme të numrit të vizitorëve.
“Të gjithë qytetarët janë kthyer papritur në specialistë turizmi, por pa asnjë përgatitje profesionale. Po ndodh saktësisht ajo që ndodhte dikur me mbledhjen e luleshtrydheve – vetëm se tani po e bëjmë me turistët,” –shprehet Tare.
Ai thekson se mungesa e trajnimeve bazë, sidomos në pika kyçe si taksitë, portet apo strukturat pritëse, po krijon një imazh të keq që e dëmton rëndë reputacionin e vendit. “Taksistët janë kontakti i parë i turistit – ata duhet të jenë të trajnuar, të paraqitshëm dhe korrektë me tarifat, jo të palarë e mashtrues siç ndodh rëndom.”
Duke e krahasuar me përvojën e vendeve si Portugalia, ku ka projekte kombëtare për trajnimin e taksistëve, Tare shprehet se Shqipëria nuk po mëson as nga gabimet e veta, e as nga shembujt pozitivë të rajonit. “Një fenomen që mund të menaxhohej me pak punë e vullnet, po shndërrohet në problem kombëtar.”
Pjesë nga deklarata:
"Numri i vizitorëve për vendin ka qenë jashtëzakonisht i lartë, por ky fluks nuk është mundur të përballohet me shërbimet, pra me rritjen e shërbimeve.
Fatkeqësisht, Shqipëria përsëri mendoj unë ka të njëjtin problem siç ka pasur dikur kur vinte dikush nga Greqia, mblidhte luleshtrydhe dhe i gjithë fshati merrej me to e falimentonin.
I gjithë ky proces po ndodh edhe me turizmin, papritmas dhe pa kujtuar të gjithë qytetarët e Republikës po bëhen specialistë turizmi.
Kur të vijë koha, kjo mendoj unë do sjellë problem të madh të cilësisë së shërbimit.
Nëse dikur ka qenë një numër i pakët, por shumë cilësor të njerëzve që merren me turizëm, sot i gjithë qyteti i Sarandës p.sh. merret me turizëm, dhe nuk ka asgjë të keqe, por ky fenomen duhet të ishte përballuar me një sërë çështjesh të cilësisë së shërbimit, dhe po ju jap fakte konkrete për ta kuptuar se për çfarë po flas.
P.sh. impakti i parë i një turisti që zbret ta zëmë këtu ku jam unë në portin e Sarandës janë taksitë apo portet. Taksitë duhen që në fillim të sezonit të bëhet kurs trajnimi me taksixhinjtë, dhe jo çdo qytetar mund të bëhet taksixhi.
Ai duhet të jetë i larë, i veshur bukur, të mësojë të hapë derën e të thotë faleminderit, të jetë korrekt me tarifat, e këto çështje duhen përfshirë në atë që quhet shërbim.
Këtë gjë e ka bërë Portugalia, një projekt total për trajnimin e taksixhinjve dhe nga ana tjetër p.sh. në Korfuz taksixhinjtë janë të tmerrshëm.
Janë të larë nga njëra anë e nga ana tjetër të vjedhin, pra ky është impakti.
Pra duhet një gjë aq e thjeshtë dhe aq minimale, por shumë e rëndësishme për turizmin".