Indonezi: 20 persona të zhdukur pas protestave të dhunshme

Të paktën 20 persona rezultojnë të zhdukur në Indonezi pas shpërthimit të protestave të dhunshme që kanë tronditur vendin që nga java e kaluar, ka njoftuar Komisioni për Personat e Zhdukur dhe Viktimat e Dhunës (KontraS). Organizata bëri të ditur se pas kërkimeve dhe verifikimeve të deritanishme, ende nuk ka gjurmë për 20 qytetarë, të cilët janë raportuar të zhdukur në Bandung, Xhakarta dhe Depok.

Protestat nisën më 25 gusht si reagim kundër kompensimeve të paguara anëtarëve të parlamentit, por tensionet u përshkallëzuan pas vdekjes së një shoferi taksie me motor në Xhakarta, i cili u shtyp nga një furgon policie. Në përplasjet e dhunshme që pasuan, gjashtë persona humbën jetën.

Të hënën, mijëra qytetarë dolën sërish në rrugë në disa qytete të Indonezisë, ndërsa ushtria u vendos në rrugët e kryeqytetit. KontraS paralajmëron se protestat pritet të vazhdojnë gjatë gjithë ditës, me një përhapje të gjerë në shkallë kombëtare.

Ndërkohë, Kombet e Bashkuara kërkuan një hetim të shpejtë, të plotë dhe transparent mbi vdekjen e protestuesve, duke dënuar përdorimin e dhunës nga forcat e sigurisë.