Pushtet dhe një dozë paranoje, Kina përgatitet të presë paradën e madhe ushtarake

Skena madhështore është ngritur në zemër të Pekinit për një nga paradat më të rëndësishme ushtarake të Kinës në vitet e fundit, e cila është koreografuar deri në detaj nga Presidenti Xi Jinping.

Tetë flamuj gjigantë kinezë valëviten fuqishëm pranë portretit të Mao Ce Dunit, themeluesit të Kinës Komuniste, i vendosur në majë të Portës së Paqes Qiellore dhe duke parë nga Sheshi Tiananmen, një nga hapësirat publike më të mëdha në botë. Përballë tyre janë rezervuar vendet për 26 liderë të huaj, përfshirë presidentin rus Vladimir Putin dhe udhëheqësin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un, pjesëmarrja e të cilëve konsiderohet si fitore e madhe diplomatike për Xi-në.

Në anën tjetër të sheshit, pranë Sallës së Madhe të Popullit, janë ngritur dy aranzhime gjigante me lule që përkujtojnë fundin e Luftës së Dytë Botërore, ndërsa përreth janë akomoduar rreth 50,000 të ftuar. Përgatitjet kanë qenë intensive, me Avenuen Chang’an – rruga kryesore me shumë korsi që kalon nëpër qendër të kryeqytetit – e hapur vetëm për pak ditë për publikun, ndërsa shoferët dhe çiklistët përpiqeshin të kapnin pamje të skenës me telefonat e tyre. Parada shënon 80-vjetorin e dorëzimit të Japonisë dhe fitoren e Kinës mbi pushtuesit, por për Xi Jinping kjo është më shumë se një ceremoni historike – është një mundësi për të treguar fuqinë e vendit të tij dhe rolin e tij në arenën ndërkombëtare.

Java ka qenë e mbushur me diplomaci dhe zhvillime të rëndësishme për liderin kinez. Ai ka arritur të bindë kryeministrin indian Narendra Modi të vizitojë Kinën për herë të parë pas shtatë vjetësh, duke rinisur marrëdhënie të rëndësishme ekonomike e strategjike. Përveç kësaj, samiti i Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (SCO) – i cili sapo ka përfunduar – ka mbledhur më shumë se 20 liderë botërorë, duke e bërë atë takimin më të madh ndonjëherë për këtë organizatë. Të martën, Xi Jinping do të zhvillojë bisedime zyrtare me Vladimir Putinin, duke forcuar aleancën e tyre strategjike përballë Perëndimit.

Parada pritet të shfaqë armë të reja hipersonike, dronë nënujorë pa pilot dhe formacione të sofistikuara ushtarake, të cilat do të shihen nga liderët e ftuar të vendeve si Irani, Malajzia, Mianmari, Mongolia, Indonezia, Zimbabveja dhe disa shtete të Azisë Qendrore. Nga Perëndimi, vetëm Serbia dhe Sllovakia kanë pranuar ftesën. Pjesëmarrja e Kim Jong Unit është një surprizë e fundit, pasi u konfirmua vetëm disa ditë më parë. Treni i tij i blinduar dhe eskortat e tij tradicionale do t’i shtojnë spektaklit të madh. Prania e tij krah Xi-së dhe Putinit shihet si një simbol i fuqishëm dhe një sinjal për Perëndimin, të cilin mediat perëndimore tashmë e kanë quajtur “boshti i trazirave”.

Por përveç shfaqjes ndërkombëtare, parada mbart edhe një mesazh të brendshëm të qartë: forcim të krenarisë kombëtare dhe të patriotizmit. Kina e përshkruan Luftën e Dytë Botërore si “luftën e rezistencës kundër agresionit japonez”, megjithëse në realitet shumica e rezistencës ishte organizuar nga nacionalistët, të cilët më vonë u mposhtën nga forcat komuniste të Mao Ce Dunit dhe u zhdukën nga kujtesa kolektive. Në prag të përvjetorit, janë publikuar filma të rinj që portretizojnë këtë periudhë, ndërsa mediat shtetërore po e shfrytëzojnë momentin për të “orientuar opinionin drejt një leximi të drejtë të historisë”. Ky interpretim i ri i historisë ka sjellë tensione me Japoninë, e cila javën e kaluar protestoi përmes kanaleve diplomatike pasi Pekini akuzoi Tokion se kishte kërkuar nga disa shtete të mos merrnin pjesë në ngjarje.

Parada dhe fushata propagandistike rreth saj janë gjithashtu një përpjekje për të bashkuar popullin në një kohë kur Kina po përballet me sfida serioze ekonomike. Ekonomia është ngadalësuar, papunësia tek të rinjtë është në nivele të larta, tregu i pasurive të paluajtshme është në rënie, dhe tarifat e vendosura nga Presidenti amerikan Donald Trump po dëmtojnë eksportet kineze. Ndërkohë, fushata e Xi-së “kundër korrupsionit” vazhdon, duke goditur edhe zyrtarë të lartë, dhe duke përhapur frikë mes elitave. Në rrjetet sociale, pakënaqësia e të rinjve është e dukshme, edhe pse censura mbetet e fortë. Për Partinë, çdo shfaqje e hapur e mosmarrëveshjes, si protesta e para tre vitesh ku një qytetar guxoi të kërkonte largimin e Xi-së me një banderolë mbi një urë, është një kujtesë e frikshme e asaj që ata duan të shmangin.

Masa të jashtëzakonshme sigurie janë vendosur në kryeqytet. Skanerë në aeroport, ndalim i dronëve, vizita në shtëpi të gazetarëve ndërkombëtarë dhe vendosja e rojeve 24-orëshe në ura e mbikalime tregojnë nivelin e kontrollit. Banorët pranë rrugës kryesore të paradës janë urdhëruar të mos dalin në ballkonet e tyre gjatë provave, ndërsa tanket kanë kaluar netëve përmes bulevardeve, duke gjeneruar një atmosferë të pazakontë në qytet. Për ditët e ardhshme, shkollat, bizneset dhe hotelet përgjatë itinerarit do të qëndrojnë të mbyllura. Transporti publik është kufizuar rëndë, linja të metrosë janë mbyllur, rrugë janë devijuar, ndërsa edhe biçikletat e përbashkëta janë mbledhur për të mos prishur pamjen e paradës.

Më shumë se 200,000 flamuj janë vendosur në gjithë kryeqytetin, ndërsa sheshi dhe rrugët janë stolisur me aranzhime lulesh dhe ndriçime të veçanta, për të dhënë pamjen e një qyteti të transformuar për nder të ngjarjes. Madje është folur edhe për mundësinë që ushtria të ketë përdorur teknika të mbjelljes së reve për të siguruar një ditë të kthjellët, një praktikë që Kina e ka përdorur më parë në raste të tilla. Parashikimet e motit, sidoqoftë, tregojnë për qiell të pastër në ditën e madhe të Xi-së.

E gjithë kjo nuk është vetëm një paradë ushtarake, por një demonstrim i kontrollit absolut të Partisë Komuniste mbi kryeqytetin me më shumë se 21 milionë banorë. Xi Jinping, i vendosur në qendër të vëmendjes botërore, po e përdor këtë spektakël si një mesazh të qartë: Kina është një fuqi globale në rritje, e gatshme të sfidojë rendin botëror të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, dhe ai vetë është udhëheqësi i pathyeshëm i këtij vizioni./ BBC - Syri.Net