Donald Trump do t’i japë Medaljen Presidenciale të Lirisë Rudy Giulianit
Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi të hënën se do ta nderojë Rudy Giulianin me Medaljen Presidenciale të Lirisë, dekorata më e lartë për qytetarët civilë në SHBA. Ky njoftim vjen vetëm dy ditë pasi aleati i tij i vjetër politik u plagos rëndë në një aksident automobilistik në New Hampshire.
Giuliani, ish-kryebashkiak i New York dhe avokat personal i Trump gjatë presidencës së tij, është një figurë që ka kaluar nga lavdia në kontest. Ai u vlerësua gjerësisht për drejtimin e qytetit të New York pas sulmeve terroriste të 11 Shtatorit 2001, por më pas u përball me sanksione ligjore dhe u përjashtua nga avokatia për përhapje të pretendimeve të rreme mbi rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020.
Trump, përmes rrjetit të tij social Truth Social, e quajti Giulianin “kryebashkiakun më të madh në historinë e Nju Jorkut dhe një patriot amerikan po aq të madh”. Për më shumë se dy dekada, karriera publike e Giulianit ka kaluar nga një figurë e njohur kombëtare në një personazh të diskutueshëm, për shkak të përfshirjes së tij në përpjekjet për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të fundit presidenciale, të cilat ai dhe Trump i konsideruan të manipuluara, pretendime që u hodhën poshtë në mënyrë të përsëritur nga gjykatat.
Dy punonjëse të qendrave të votimit në Xhorxhia, Ruby Freeman dhe Shaye Moss, fituan një dëmshpërblim prej 148 milionë dollarësh pas një padie për shpifje ndaj Giulianit. Ato deklaruan se akuzat e rreme të tij u pasuan me kërcënime serioze për jetën e tyre.
Për shkak të deklaratave të pavërteta, Giuliani është përjashtuar nga ushtrimi i profesionit të avokatit si në Nju Jork ashtu edhe në Uashington D.C. Ai gjithashtu është përballur me akuza penale në shtetet e Xhorxhias dhe Arizonës, në lidhje me përpjekjet për të përmbysur humbjen e Trump ndaj Joe Biden.
Giuliani, 81 vjeç, ndodhet ende në spital pas aksidentit të së shtunës mbrëma. Ai ishte pasagjer në një Ford Bronco të marrë me qira, i cili u godit nga pas nga një makinë tjetër, sipas policisë së shtetit. Shefi i sigurisë së tij, Michael Ragusa, tha se Giuliani pësoi frakturë në shtyllën kurrizore dhe plagë të shumta në krahun dhe këmbën e majtë. Megjithatë, ai pritet të dalë nga spitali së shpejti.
Medalja Presidenciale e Lirisë, e themeluar në vitin 1963, i jepet individëve që kanë dhënë kontribute të veçanta për sigurinë kombëtare të SHBA-ve, paqen në botë, apo përpjekje të rëndësishme në fushën e kulturës dhe jetës publike.