Zyrtare/ Alfred Mensah largohet nga Vllaznia

Pas shumë spekulimesh rreth mundësisë së largimit të tij, Alfred Mensah nuk është më pjesë e skuadrës së Vllaznisë. Sulmuesi dhe klubi shkodran kanë arritur një marrëveshje për ndërprerjen para kohe të kontratës, dhe të dyja palët duken të kënaqura me vendimin.

Lajmi u konfirmua nga faqja zyrtare e Vllaznisë, e cila publikoi një postim ku shkruhet:

“KF Vllaznia dëshiron të bëjë të ditur se ka mbyllur bashkëpunimin me futbollistin Alfred Mensah. Klubi dhe lojtari janë dakorduar për të ndarë rrugët me njëri-tjetrin, duke i dhënë fund para kohe kontratës dypalëshe.

KF Vllaznia i uron Mensah sa më shumë suksese në karrierën e tij të mëtejshme!”

Me largimin e Mensah, Vllaznia duhet të mendojë për gjetjen e një sulmuesi të ri për të kompletuar repartin ofensiv. Me vetëm pak orë para mbylljes së merkatos, tifozët janë në pritje për të parë se cili do të jetë afrimi i fundit i kuqebluve.