Zyrtare/ Rasmus Hojlund transferohet te Napoli, formula e transferimit
Napoli ka finalizuar një goditje të madhe në merkato duke siguruar shërbimet e Rasmus Hojlund nga Manchester United. Sulmuesi danez 22-vjeçar ka nënshkruar me klubin napolitan në formë huazimi njëvjeçar me vlerë 6 milionë euro, me opsion blerjeje prej 44 milionë eurosh, i cili do të kthehet në detyrim nëse Napoli arrin kualifikimin në Ligën e Kampionëve. Vlera totale e marrëveshjes arrin 50 milionë euro.
Manchester United ka ruajtur gjithashtu 5% të vlerës së një shitjeje të ardhshme, ndërsa kontrata e lojtarit me Napolin përfshin një klauzolë lirimi të vlerësuar mes 85 dhe 90 milionë euro. Si zakonisht, lajmin e ka konfirmuar presidenti Aurelio De Laurentiis, i cili njoftoi personalisht afrimin e ri.
Transferimi i Hojlund bëhet edhe më i rëndësishëm për shkak të mungesës së Romelu Lukakut, i cili do të qëndrojë jashtë fushave për tre deri në katër muaj për shkak të një dëmtimi serioz në kofshë.
Për danezin ky është një rikthim në Serie A, pasi ai shkëlqeu me Atalantën gjatë sezonit 2022/23, përpara se të transferohej te Manchester United për 77.8 milionë euro plus bonuse. Me “Djajtë e Kuq” ai regjistroi 26 gola dhe 6 asistime në 95 paraqitje zyrtare.
Në arenën ndërkombëtare, Hojlund ka shënuar 8 gola në 26 ndeshje me kombëtaren e Danimarkës dhe pritet të jetë një nga figurat kyçe të Napolit në sezonin 2025/26.