Luis Hasa largohet nga Napoli, zyrtarizohet si futbollist i ri i Carrarese-s
Carrarese ka zyrtarizuar afrimin e mesfushorit të talentuar me origjinë shqiptare, Luis Hasa, i cili do të veshë fanellën blu në sezonin e ri të Serie B. Lajmi u bë publik nga klubi përmes kanaleve zyrtare, ndërkohë që vetëm një ditë më parë lojtari ishte parë në tribunat e “Stadio dei Marmi” duke ndjekur ndeshjen Carrarese–Padova.
Hasa, i lindur në vitin 2004 në Sora, ka një karrierë premtuese pas vetes. Ai u formua në akademinë e Juventusit, ku spikati me ekipin Primavera, përpara se të grumbullonte 38 paraqitje me Juventus Next Gen në Serie C gjatë sezonit 2023/24.
Në janar të vitit 2025, kartoni i tij kaloi në pronësi të Napolit, i cili ka vendosur ta huazojë te Carrarese për t’i dhënë më shumë hapësirë dhe përvojë në futbollin profesionist.
Ky transferim shihet si një lëvizje e rëndësishme për Carrarese-s, që synon të forcojë mesfushën me energjinë dhe teknikën e një lojtari të ri, ndërsa për Hasa kjo është një mundësi e artë për t’u afirmuar në një kampionat sfidues si Serie B.