Mashtrimi pas shkëlqimit! Tregtari i bizhuterive zhduket me 170 milionë paund! Punonjësit hiqeshin si klientë
Stafi i një dyqani luksoz bizhuterish janë urdhëruar të hiqeshin si klientë për të mashtruar investitorët në skemën më të madhe të mashtrimit me diamante në Britani, zbulon BBC Panorama.
Mashtrimi ndihmoi tregtarin e diamanteve, Vashi Dominguez, të siguronte para nga investitorët për të mbajtur në këmbë biznesin e tij, i cili falimentoi në vitin 2023 me 170 milionë paund borxhe.
Investitorët humbën gjithçka, pasi stoku i premtuar prej 157 milionë paundësh diamante rezultoi në fakt të vlente vetëm rreth 100 mijë paund.
Dominguez u zhduk, ndërkohë si Policia Metropolitane, ashtu edhe Zyra e Krimeve të Rënda (SFO) vendosën të mos hapin hetim.
BBC Panorama ka folur me ish-punonjës, investitorë dhe ekspertë financiarë që po punojnë për të rindërtuar skemën se si Vashi Dominguez arriti të mashtrojë kaq shumë njerëz, si dhe për të pyetur pse autoritetet nuk po e kërkojnë.
Vashi Dominguez u bë i njohur duke u ofruar diamantë të pasurve. Reputacioni i tij u rrit bashkë me marrëveshjet e mëdha me gurë të çmuar.
Ai u shfaq edhe në emisionin This Morning në ITV, ku bisedoi me Holly Willoughby dhe Phillip Schofield, duke mbajtur në dorë një vezë kristali që, sipas tij, vlente 5 milionë paund dhe po e shiste për një miliarder në Kanada.
Që nga viti 2017, Dominguez nuk ishte më vetëm tregtari i të pasurve, por një markë me dyqane në Londër, Birmingham dhe Manchester. Ai premtonte një përvojë ndryshe bizhuterie, ku klientët mund të punonin me dizajnerë dhe të shihnin procesin e punimit në vend dhe u premtonte diamantë me çmime të lira.
Por pas fasadës, biznesi ishte bosh. Punonjësit thonë se dyqani në Covent Garden, hapur në 2021 me shpenzime të mëdha, mezi sillte disa klientë në ditë. Për ta bërë të dukej i suksesshëm, Dominguez i detyroi punonjësit të shtiheshin si klientë dhe madje si argjendarë që punonin mbi porosi.
“Gjithçka ishte një shfaqje e stisur,” thotë Hayward.
Punonjës të tjerë zbulojnë se edhe klientët mashtrroheshin: diamantet që shiteshin shpesh ishin më të vegjël ose me cilësi më të ulët nga ato të paguara, ndërsa numrat identifikues (GIA) fshiheshin.
Por mashtrimi më i madh ishte në bilancet financiare. Në vitin 2021, Vashi raportoi shitje prej mbi 100 milionë paund, por dokumentet e brendshme tregojnë se realisht ishin vetëm 5 milionë – 5% e shifrës së deklaruar.
“Të paraqesësh llogaritë e një kompanie me këtë shkallë manipulimi është thjesht e papranueshme,” thotë Stuart McFadden nga kompania hetuese Refundee, që përfaqëson disa nga investitorët e mashtruar.
Mark Schneider, drejtues mediatik dhe bashkëthemelues i GB News, humbi rreth 750 mijë paund në skemën e Vashi Dominguez.
Likuiduesi, Benji Dymant, thotë se kreditorëve u detyrohen 170 milionë paund, mbi 100 milionë prej të cilave ndaj investitorëve.
Nga ekstraktet bankare, zbulohet se Dominguez fluturoi për në Dubai ditën kur gjykata urdhëroi mbylljen e kompanisë.
“Ne kemi punësuar hetues privatë dhe ka pasur disa raportime për të, por nuk kemi asnjë provë konkrete që të tregojë një vendbanim ose lokacion të caktuar,” shprehet likuiduesi.
Vashi Dominguez ka mashtruar investitorët, stafin dhe madje edhe tatimet, por kërkimi për të është çuditërisht i vogël.
Nuk ka asnjë hetim nga policia apo Zyra e Krimeve të Rënda (SFO).
Likuiduesi, i cili ka shqyrtuar librat financiarë, thotë se nuk ka asnjë provë që ai të ketë marrë një pjesë të madhe të parave të zhdukura.
“Ajo që nuk kemi parë në ekstraktet bankare janë shuma të mëdha parash, apo ndonjë shumë e dukshme që të jetë transferuar në një llogari offshore apo diçka të ngjashme,” thotë z. Dymant.
Si shumica e investitorëve, edhe Mark Schneider nuk ka marrë paratë e tij mbrapsht. Ai ende nuk arrin të kuptojë nëse Vashi ishte mashtrim që në fillim.
“Nuk jam i sigurt nëse ai u tremb thjesht sepse gjërat nuk po funksiononin siç kishte planifikuar, apo nëse e kishte planifikuar gjithçka që në fillim për të qenë kështu,” thotë ai.
Ajo që dihet është se Vashi Dominguez përdori shkëlqimin dhe luksin për të tërhequr dhjetëra miliona paund nga investitorët.
Paratë janë zhdukur – dhe po ashtu edhe ai. /BBC/