'Nderi i Kombit’, Dhimitër Anagnosti nderohet me ceremoni shtetërore, homazhet mbahen më 2 shtator
Ceremoni shtetërore homazhesh për Dhimitër Anagnostin, më 2 shtator në TKOBAP
Në nderim të kujtimit dhe veprës së mjeshtrit të kinematografisë shqiptare, “Nderi i Kombit” Dhimitër Anagnosti, do të organizohet Ceremonia Shtetërore e Homazheve Publike më 2 shtator 2025, në ambientet e Teatrit Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor (TKOBAP).
Homazhet do të zhvillohen nga ora 10:00 deri në 13:00, ku përfaqësues të institucioneve shtetërore, personalitete të artit dhe kulturës, qytetarë e miq do të kenë mundësinë të nderojnë një nga figurat më të shquara të kinematografisë dhe kulturës shqiptare.
Dhimitër Anagnosti, regjisor, skenarist dhe intelektual i angazhuar, ka lënë një gjurmë të pashlyeshme në historinë e artit shqiptar me krijimtari që mbart vlera të jashtëzakonshme artistike dhe shoqërore. Titulli “Nderi i Kombit”, i akorduar për kontributin e tij të jashtëzakonshëm, është vetëm një prej shumë vlerësimeve që dëshmojnë rolin e tij në formësimin e identitetit kulturor shqiptar.