PD ankimon certifikimin e zgjedhjeve/ Logu: Zgjedhjet u deformuan nga krimi, fondet publike dhe presioni, raporti i OSBE-ODIHR pritet tronditës
Përfaqësuesi ligjor i PD-së, Marash Logu, në një intervistë për edicionin e mesditës në Syri TV, deklaroi se Partia Demokratike po vijon me këmbëngulje betejën për të denoncuar farsën elektorale të 11 majit 2025 dhe shkeljet flagrante që e kanë deformuar thellësisht procesin zgjedhor.
Sipas tij, përveç denoncimeve publike dhe politike, PD ka ndjekur të gjithë rrugën ligjore, pavarësisht mungesës së besimit te institucionet zgjedhore dhe gjyqësore, për t’u përballur me atë që ai e quajti një shtet të kapur në funksion të partisë në pushtet.
Logu theksoi se përdorimi masiv i fondeve publike, përfshirja e grupeve kriminale dhe intimidimi sistematik i votuesve përbëjnë jo vetëm një krim elektoral, por edhe një rrezik serioz për demokracinë në vend. Ai nënvizoi se Partia Demokratike nuk e njeh dhe nuk mund ta pranojë rezultatin e këtyre zgjedhjeve, ndërsa pret publikimin e raportit përfundimtar të OSBE/ODIHR, i cili, sipas tij, pritet të jetë edhe më i ashpër se ai paraprak.
Pjesë nga deklarata:
Ne po vijojmë të njëjtën strategji për të denoncuar të gjitha shkeljet e rënda që kanë ndodhur gjatë zgjedhjeve të 11 majit 2025, të asaj që ne e kemi quajtur "farsa e madhe elektorale". Përveç denoncimit publik dhe mediatik të bërë nga z. Berisha dhe përfaqësues të tjerë, kemi ndjekur të gjithë hapat ligjorë, si pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ashtu edhe në Kolegjin Zgjedhor.
Kemi ndjekur këtë rrugë, jo se kishim ndonjë besim të madh se këto institucione do të garantonin drejtësi zgjedhore, por si një detyrim moral dhe politik ndaj qytetarëve që na kanë besuar më 11 maj dhe ndaj të gjithë atyre që kërkojnë të shohin të vërtetën mbi shkeljet e rënda të këtij procesi.
Sigurisht, nuk mund të pranonim një rezultat përfundimtar, duke pasur parasysh fenomenet që shoqëruan këto zgjedhje: shitblerjen masive të votës, angazhimin e grupeve kriminale që u shndërruan në shtabe elektorale të PS-së përfshirë persona në kërkim, përdorimin masiv të burimeve publike në funksion të fushatës, intimidimin e votuesve, manipulimin dhe tjetërësimin e votës së diasporës.
Nuk mund të pranonim një rezultat që ishte produkt i vendosjes së buxhetit të shtetit në funksion të partisë në pushtet. Vetëm për fushatën elektorale u shpërndanë:
76 milionë euro si “bonus elektoral” për 730 mijë pensionistë,
33.3 milionë euro në tendera publikë për asfalt elektoral,
7.2 milionë euro në paga për punonjës të rekrutuar në administratë gjatë fushatës,
2.2 milionë euro bonuse të kamufluara si ndihmë për pensione invaliditeti,
200 milionë euro gjoba të falura dy ditë para zgjedhjeve,
40 milionë euro subvencione për fermerët.
Këto janë shuma kolosale që jo vetëm deformojnë garën, por ndikojnë dhe në ekonominë e qytetarëve duke krijuar një lloj inflacioni artificial. Edi Rama dhe Partia Socialiste i përdorën këto fonde me qëllimin e vetëm: tjetërësimin e vullnetit të qytetarëve.
Sa i përket raportit përfundimtar të OSBE/ODIHR, publikimi i tij do të ndodhë pas certifikimit të rezultatit final, pasi ai duhet të pasqyrojë edhe ankimimet zgjedhore. Ajo që është tashmë e qartë është se raporti paraprak përmbante gjetje të rënda dhe serioze: përfshirjen e grupeve kriminale, kërcënimin dhe intimidimin e votuesve, presionin mbi administratën, përdorimin e fondeve publike dhe konstatimin se vijat ndarëse mes shtetit dhe partisë në pushtet ishin të paqarta.
Praktikisht, Partia Demokratike nuk garonte përballë Partisë Socialiste, por përballë një shteti të kthyer në makineri elektorale. Kjo nuk ndodh në asnjë vend demokratik, madje as në vende autoritare, ku një parti garon përballë gjithë aparatit shtetëror dhe pritet të fitojë.
E sigurt është që raporti përfundimtar nuk do të jetë më i zbutur përkundrazi, ka gjasa të jetë edhe më i rëndë në vlerësime.