5 vite nga skandali i tenderave të maskave të COVID-19, Vokshi: SPAK nuk hetoi, krim i mbuluar me sekret shtetëror
Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, akuzon qeverinë për mungesë drejtësie pas skandalit të maskave dhe mjeteve mbrojtëse gjatë pandemisë COVID-19.
Në një postim në rrjetet sociale, Vokshi kujton se 5 vite më parë, kryeministri Rama dhe ministrja Manastirlliu shpallën “sekret” tenderat për blerjen e këtyre pajisjeve, duke i paguar dyfish e trefish të çmimit real, ndërsa qytetarët nuk mund të siguruan kura jetike. Ajo shprehet se denoncoi publikisht këtë aferë dhe depozitoi një kallëzim në SPAK, por deri më tani nuk ka pasur hetime ndaj zyrtarëve të përfshirë.
Vokshi thekson se shumë qytetarë humbën jetën për shkak të këtyre abuzimeve, ndërsa niveli i vdekshmërisë në Shqipëri gjatë COVID-19 ishte më shumë se dyfishi i mesatares së vendeve të Bashkimit Europian. Deputetja e PD e cilëson këtë si një krim të mbuluar me “sekret shtetëror” dhe kërkon ndëshkimin e abuzuesve për çdo qindarkë të parave të shëndetit të qytetarëve. Ajo përfundon mesazhin me thirrjen se shqiptarët meritojnë drejtësi dhe llogari për këtë aferë.
Postimi i plotë:
5 vite pa drejtësi!
Në kulmin e pandemisë, Rama–Manastirlliu shpallën “sekret” tenderat e maskave dhe mjeteve mbrojtëse, duke i blerë me dyfish e trefish të çmimit real, ndërsa qytetarët s’kishin mundësi të siguronin kura jetike.
Denoncova publikisht këtë krim!
Depozitova një Kallzim në SPAK për këtë aferë kriminale ku u abuzua me paratë e shëndetit të qytetarëve.
5 vite më pas, asgjë nuk ka ndodhur. Rama e Manastirlliu nuk janë hetuar, ndërkohë që shumë qytetarë humbën jetën për shkak të këtij abuzimi. Për shkak të abuzimeve marramendëse, niveli i vdekshmërisë në Shqipëri gjatë COVID19 ishte më shumë se dyfishi mesatares së vendeve të Bashkimit Europian.
Ky është krim i mbuluar me “sekret shtetëror”. Një vjedhje e bërë mbi kurrizin e shqiptarëve në ditët e tyre më të vështira.
Shqiptarët meritojnë drejtësi!
Abuzuesit duhet të ndëshkohen për cdo qindarkë të parave të shëndetit të vjedhur!