Mashtrimet dhe propaganda e Ramës: Shqiptarëve u premtoi pasaportën, në Europë deklaron se BE do shpërbëhet
Rama vazhdon të sillet si klloun në takimet në Europë, ndërthur mashtrimet e mëdha që u bën shqiptarëve për pasaportën europiane me metaforat idiote, sikur ai, një kukull e spekulantit ndërkombëtar, mund të japë edhe këshilla apo “progresione” për kontinentin.
Në Forumin Strategjik të Bledit në Slloveni, Rama e krahasoi Evropën me një pacient dhe shtetet anëtare me “mjekë patologë”, duke sugjeruar se ata duhet të “specializohen” për të shpëtuar unionin. Një krahasim qesharak, që më shumë nxjerr në pah megalomaninë e tij dhe nevojën për të bërë shoë, sesa ndonjë merak real për të ardhmen e Bashkimit Europian.
Ky spektakël nuk është i izoluar. Rama përdor figurën e “pacientit Evropë” për të paraqitur veten si aktor i madh në kontinent, ndërkohë që Shqipëria vazhdon të damkoset si një vend ku lulëzojnë korrupsioni, trafiku dhe shkelja e lirive dhe të drejtave të njeriut. Shqiptarët, nga ana tjetër, mbahen me përralla për “pasaportën evropiane” – një premtim që duket të mos ketë asnjë bazë reale, veçanërisht në një Europë që Rama vetë e përshkruan në prag të shpërbërjes.
Rama nuk heq dorë nga narrativa e premtimit të përkushtimit të Shqipërisë ndaj BE, duke theksuar se vendi është “besnik deri në fund” dhe se politika e jashtme shqiptare është vetëm 10% e harmonizuar me unionin. Ky argument nuk bën gjë tjetër veçse forcon imazhin e liderit që flet për besnikëri dhe perspektiva të mëdha, ndërkohë që realiteti i qytetarëve shqiptarë – papunësia, korrupsioni, shpopullimi, mungesa e shpresës reale për integrim – mbetet i njëjtë.
Dhe më e forta: Rama u dha “këshilla” europianëve për armatimin, duke thënë se në vend që armët të përdoren për mbrojtje, mund të lindë një luftë e brendshme – një këshillë që duket më shumë si një shfaqje ironike sesa një analizë strategjike serioze.
Në thelb, deklaratat e Ramës tregojnë një model të qartë: spektakël mbi realitetin, metafora mbi strategjinë dhe propagandë mbi premtimin. Ndërsa qytetarëve shqiptarë u premtohet pasaporta evropiane, në Europë ai flet për shpërbërje të BE, pra as vetë nuk e beson atë që u premton shqiptarëve.