SYRI TV/ UNDP alarm për pensionistët në Shqipëri, në rrezik varfërie
Një raport i UNDP-s, me titull “PLAKJA NË SHQIPËRI, Vështrime mbi Kujdesin Afatgjatë për të Moshuarit”, ka hedhur dritë mbi krizën financiare dhe përkujdesin e moshës së tretë në vendin tonë.
Raporti përmbledh rezultatet e një ankete, të 790 familjeve me një pjesëtar të moshuar.
Të dhënat tregojnë se 72 përqind e të moshuarve në Shqipëri jetojnë me të ardhura nga 100 deri në 300 mijë lekë në muaj, ndërsa 13 përqind e të moshuarve jetojnë me më pak se 100 mijë lekë në muaj.
Por përse i shpenzojnë paratë e pensionit të moshuarit në Shqipëri? Të dhënat e raportit, kanë befasuar edhe vetë ekspertët e UNDP-s, të cilët i kanë cilësuar rezultatet si “të habitshme”.
Përafërsisht 55% e të ardhurave mujore të personave të moshuar përdoren për nevojat themelore dhe 45% shkon për shërbimet e kujdesit shëndetësor, për të moshuarit që marrin pension midis 100 deri në 300 mijë lek në muaj. Ndërsa të moshuarit që kanë pensione më të ulëta se 100 mijë lek në muaj, të shpenzojnë rreth 60 përqind të të ardhurave për të përbushur nevojat mjekësore. Sipas të dhënave, një i moshuar në Shqipëri merr mesatarisht 4 medikamente të ndryshme në ditë.
Raporti thekson gjithashtu se duke marrë parasysh pragun e varfërisë në rrezik për familjet me një anëtar në Shqipëri për vitin 2023 ishte 22,547 lekë (në muaj) dhe përqindjen e lartë të shpenzimeve nga xhepi për nevojat e kujdesit shëndetësor, bëhet e qartë se të moshuarit janë në një rrezik të lartë për varfëri.
Nga anketa ka rezultuar gjithashtu se dy nga tre pensionistë në Shqipëri ka nevojë për përkujdes të përditshëm për plotësimin e nevojave jetësore si veshja, larja, ngrënia, gatimi, blerjet dhe menaxhimi i financave.