SYRI TV/ Sulmi personal i Ramës - Nxjerr në ankand pronat e Beketit, refuzon të paguajë gjobën 110 mln euro
Agjencia Shtetërore e Pasurive të Sekuestruara ka nxjerrë në ankand asetet e kompanisë “Kalivaçi Green Energy”, të biznesmenit italian Francesko Beketi. Këto prona u konfiskuan nga shteti shqiptar pas sulmit personal të kryeministrit Rama ndaj Beketit, për shkak të linjës politike editoriale të televizionit Agon Channel, në pronësi të sipërmarrësit italian. Ndërkohë, kryeministri vijon të mos paguajë gjobën prej 110 milionë euro ndaj Beketit.
Syri TV
Agjencia e Pasurive të Sekuestruara ka nxjerrë në ankand makineritë dhe pajisjet e kompanisë “Kalivaçi Green Energy”, e cila iu konfiskua sipërmarrësit italian Francesko Beketi. Agjencia thotë se numri i aseteve që nxirren në shitje është shumë i madh, por vlera e tyre është ulur ndjeshëm për shkak të amortizimit, pasi kanë qëndruar më shumë se një dekadë pa punuar. Për këtë arsye, çmimi fillestar i ankandit është përcaktuar në shumën 15.3 milionë lekë të reja, ose rreth 150 mijë euro, ndërkohë që vlera e tyre reale ka qenë shumë herë më e lartë.
“Kalivaçi Green Energy” është një nga katër kompanitë e Beketit, të cilat iu kaluan në pronësi shtetit, pasi gjykatat shqiptare vendosën ta dënonin biznesmenin italian për “pastrim parash”. Por, shkaku real i goditjes së Francesko Beketit ishte një sulm personal i kryeministrit Edi Rama, për shkak të politikës editoriale të ndjekur nga “Agon Channel”, një televizion në pronësi të sipërmarrësit italian.
Televizioni u mbyll në vitin 2014 për shkaqe të pastra politike, siç përcaktoi më vonë Gjykata e Arbitrazhit të Bankës Botërore, ICSID. Në vitin 2019, Arbitrazhi Ndërkombëtar vendosi të gjobisë qeverinë shqiptare me 110 milionë euro për dëmet e shkaktuara ndaj Beketit. Ky vendim u la në fuqi përfundimisht në vitin 2022. Por kryeministri Edi Rama vendosi me kokëfortësi që të mos paguajë gjobën.
Lufta personale e Ramës ndaj Beketit ka sjellë pasoja të rënda për buxhetin e shtetit, por ka vendosur në krizë të thellë financiare edhe disa institucione publike në seri. Pasi Rama refuzoi të paguante gjobën prej 110 milionë euro, një gjykatë në Bruksel vendosi të bllokojë llogaritë që shoqëria publike e fluturimeve “Albcontrol” kishte pranë kompanisë europiane “Eurocontrol”. Shuma e bllokuar llogaritet në mbi 70 milionë euro.
Kryeministri sërish refuzoi të paguante gjobën ndaj Beketit, duke vendosur në krizë ekzistenciale “Albcontrol-in”. Për ta shpëtuar nga kolapsi financiar, Rama detyroi disa ndërmarrje publike që të jepnin hua në vlerë rreth 50 milionë euro, me qëllim që “Albcontrol” të vijonte operimin e saj.
Por edhe kjo masë rezultoi e papërshtatshme dhe Rama, nëpërmjet një propozimi të zëvendëses së tij, Belinda Balluku, ndryshoi statusin e “Albcontrol”, duke e kaluar nga një shoqëri fitimprurëse në një institucion buxhetor.
Ndërkohë, “Albcontrol” nuk ka fuqi ekonomike dhe nuk arrin të shlyejë huatë e marra nga agjencitë e tjera shtetërore.
Në fund të vitit 2024, Kontrolli i Lartë i Shtetit identifikoi se një nga institucionet huadhënëse ishte Korporata e Investimeve. Kjo e fundit kishte kaluar në llogaritë e “Albcontrol” rreth 20 milionë euro, një shumë që cënonte rëndë aktivitetin financiar të vetë Korporatës.
KLSH rekomandoi që Korporata e Investimeve të rikuperonte borxhin në mënyrë të menjëhershme, pasi edhe ajo vetë rrezikonte falimentimin.