'Batman 2' sjell lajme optimiste për fansat, premiera më 2027

Fansat e filmit të shumëpritur “Batman 2” kanë marrë lajme pozitive për vazhdimin e sagës. Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, skenaristi Mattson Tomlin, i cili po punon së bashku me regjisorin Matt Reeves, ka dorëzuar versionin më të fundit të skenarit tek drejtuesit e DC Studios, James Gunn dhe Peter Safran. Të dy drejtuesit mësohet se mbetën shumë të kënaqur me materialin e paraqitur.

Edhe pse prodhimi i filmit pritet të nisë në fillim të vitit të ardhshëm, fansat do të duhet të presin deri më 1 tetor 2027 për premierën botërore. Në këtë vazhdim, Robert Pattinson do të rikthehet në rolin e “Kryqëzatës së Errët”.

Mattson Tomlin ka dhënë sinjale edhe më optimiste për projektin. Në një reagim në platformën X, ai theksoi se një vazhdim ia vlen vetëm nëse ka një histori që e tejkalon origjinalin, duke shprehur bindje se “Batman 2” ka potencial për të qenë më i fuqishëm se filmi i parë.

Megjithatë, detajet rreth komplotit të filmit mbeten rreptësisht konfidenciale. James Gunn, në drejtimin e ri të studios, duket se ka vënë prioritet sigurimin e një skenari të shkëlqyer përpara se të nisë xhirimet, gjë që ka ndikuar edhe në vonesën e publikimit të filmit, më shumë se pesë vjet pas të parit.