Rusia ndërhyn në GPS, avioni i Ursula von der Leyen detyrohet të ulet me harta letre në Bullgari
Avioni i Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, u detyrua të ulej në Bullgari duke u mbështetur vetëm në harta letre të aeroportit, për shkak të një sulmi të dyshuar rus që nxori jashtë funksionit shërbimet e navigimit GPS. Këtë e raportoi Financial Times, duke cituar tre burime të njohura me situatën.
Lajmi është konfirmuar edhe nga zyrtarë të Eurocontrol, agjencia evropiane që koordinon trafikun ajror mbi kontinentin, si dhe nga hartat teknike që monitorojnë fenomenin e ndërhyrjeve elektronike.
Ngjarja ndodhi të dielën pasdite, më 31 gusht. Avioni po e transportonte von der Leyen në Plovdiv, Bullgari, kur pilotët, në fazën e uljes, u përballën me mospërdorshmëri të instrumenteve elektronike të navigimit, të cilat zakonisht mundësojnë një ulje të sigurt dhe të saktë në çdo kusht moti.
Zyrtarët që folën për Financial Times e cilësuan rastin si një “operacion ndërhyrjeje nga Rusia”.
“E gjithë zona e aeroportit mbeti pa sinjal GPS”, tregoi një nga zyrtarët për gazetën. Pas një ore fluturimi rreth aeroportit, piloti mori vendimin për të kryer uljen “manualisht”, duke përdorur harta analoge që ndodhen në kabinën e pilotit pikërisht për situata të tilla.
Platformat që monitorojnë ndërhyrjet në sinjalet GPS konfirmuan se më 31 gusht zona përreth Plovdivit ishte prekur nga një sulm ndaj sinjaleve radio, çka ka mundur të detyrojë përdorimin e hartave të printuara për navigim.
Rreziku në rritje nga ndërhyrjet GPS
Zgjerimi i zonave të konfliktit dhe shtimi i përdorimit të pajisjeve ushtarake për të penguar sinjalet satelitore po çojnë në rritje të ndjeshme të problemeve gjatë fluturimeve, sidomos që prej shtatorit 2023.
Avionët po përballen me sinjale GPS të rreme (spoofing) që dezorientojnë sistemet kompjuterike të bordit dhe bëjnë që të humbet aftësia e navigimit në kabinë.
Sipas një platforme monitorimi të zhvilluar nga Universiteti i Stanfordit, gjatë gushtit 2025, nga 90 deri në 150 avionë në ditë kanë raportuar probleme serioze me ndërhyrjet në sinjalet satelitore dhe pajisjet e bordit, në rajonin që përfshin Evropën, Lindjen e Mesme dhe Azinë.
Në vitin 2024, sipas një raporti të OpsGroup, ndër hapësirat ajrore më të goditura nga “spoofing” dhe “jamming” ishte edhe ajo e Bullgarisë.
Në disa raste, avionë komercialë janë detyruar të devijojnë itinerarin, siç ndodhi me një Boeing 737 të Ryanair në janar 2025, që ishte nisur për në Vilnius, por përfundoi në Poloni. Për një muaj, kompania Finnair u detyrua të pezullojë fluturimet për në Tartu, në Estoninë lindore, për shkak të vështirësive të vazhdueshme në uljen e avionëve të prekur nga sulmet ndaj sistemit GPS./Corriere Della Sera