Tërmeti shkatërrues në Afganistan/ Spitalet të mbingarkuara, në terren nis ndarja e ndihmave
Misioni i Asistencës së Kombeve të Bashkuara në Afganistan (UNAMA), si dhe ambasada japoneze, kanë shprehur ngushëllimet e tyre për popullin afgan dhe kanë ofruar ndihmë.
Nuk ka kufizime për lejimin e ndihmës ndërkombëtare dhe qeveria talibane ka kërkuar nga agjencitë humanitare që të prioritizojnë ndihmën për zonat e prekura nga tërmeti.
Spitali kryesor i Xhelalabadit është tashmë i mbingarkuar, pasi ndodhet në qendër të kalimit të dhjetëra mijëra afganëve që po dëbohen nga Pakistani fqinj.
Një gazetar lokal që vizitoi spitalin raportoi se të afërmit e viktimave të tërmetit janë detyruar të lënë spitalin për të blerë vetë ilaçe për të afërmit e tyre të shtruar.
Ndërkohë, agjencia humanitare e OKB-së për fëmijët (UNICEF) thotë se ka ekipe lokale në terren që po bashkëpunojnë me autoritetet vendore për të krijuar një pasqyrë më të qartë të zonave më të prekura.
Qasja rrugore drejt zonave më të goditura ende mbetet e bllokuar, por ka të ngjarë që qindra shtëpi të jenë shkatërruar, tha Salam Al Janabi për BBC nga zyra e UNICEF-it në Kabul.
“Për shkak të terrenit malor, shtëpitë janë ndërtuar pothuajse njëra mbi tjetrën, kështu që gjithçka po rrëzohet mbi njëra-tjetrën,” thotë ai.
Prioritetet kryesore për organizatën janë shëndetësia, mbrojtja e fëmijëve, uji dhe akses në kushte higjieno-sanitare, thekson Al Janabi.
Edhe pse afganët në gjithë vendin janë të mësuar me tërmetet, ai thotë se kjo nuk e zbeh ndjesinë e urgjencës për të reaguar ndaj kësaj ngjarjeje.
“Nuk ka rëndësi që e ke përjetuar edhe më parë – sa herë ndodh diçka e tillë, është tragjike, është e vështirë.”/BBC