Ndarja nga jeta e Dhimitër Anagnostit, Meta: Një humbje e madhe për kulturën dhe identitetin tonë kombëtar
Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar me një mesazh të ndjerë në rrjetet sociale pas ndarjes nga jeta të ikonës së kinematografisë shqiptare, Dhimitër Anagnosti.
Në postimin e tij në Facebook, Meta shpreh pikëllimin e thellë për këtë humbje të madhe të artit dhe kulturës sonë kombëtare, duke e vlerësuar Anagnostin si një nga figurat më të ndritura të historisë së kinemasë shqiptare.
Në mesazhin e tij, Meta e cilëson Anagnostin jo vetëm si një kineast të jashtëzakonshëm dhe mendimtar të thellë, por edhe si një emër që i dha dinjitet, identitet dhe peshë ndërkombëtare kinemasë sonë.
Ai thekson se trashëgimia artistike e tij do të mbetet një monument i pavdekshëm në kujtesën e kombit dhe një burim i pashtershëm frymëzimi për brezat e rinj të krijuesve shqiptarë.
Postimi i plotë:
Në panteonin e kulturës kombëtare dhe artit të kinemasë shqiptare, Artisti i Popullit, Dhimitër Anagnosti, do të mbetet përjetësisht i nderuar mes korifejve më të mëdhenj.
Kineast dhe regjisor i shquar, skenarist e mendimtar, ai na la trashëgim një vepër të ndritur, që do të vazhdojë të frymëzojë gjeneratat e ardhshme, duke u bërë metaforë emblematike e historisë së kinematografisë shqiptare dhe model frymëzues i një brezi krijuesish idealistë e patriotë.
Filmat e Anagnostit, edhe pse të krijuar në një kohë të caktuar historike, falë vizionit e talentit të tij të jashtëzakonshëm, mbeten vepra universale që përcjellin mesazhe të përjetshme dhe gjithmonë aktuale.
Me pikëllim të thellë u shpreh familjes dhe komunitetit të artistëve ngushëllimet më të sinqerta për ndarjen nga jeta të këtij personaliteti të rrallë të artit dhe kulturës sonë kombëtare, i cili i dha emër e dinjitet kinemasë shqiptare dhe lartësoi identitetin tonë kulturor.
Trashëgimia e tij e vyer do të mbetet një monument i pavdekshëm në kujtesën e kombit.
Të prehet në paqe! I paharruar kujtimi!