A po dështon Meta në mbrojtjen e përdoruesve nga shpërndarja e imazheve denigruese pa pëlqimin e tyre?

Italia është tronditur nga një tjetër skandal digjital, pasi u zbulua se foto të grave – përfshirë edhe kryeministren Giorgia Meloni – po qarkullonin në rrjetet sociale të shoqëruara me komente seksiste dhe fyese. Në qendër të debatit u vendos grupi i Facebook-ut “Mia Moglie” (“Gruaja Ime”), i cili kishte mbi 32 mijë anëtarë dhe ku burra shpërndanin imazhe të grave të tyre apo foto të marra fshehurazi, duke i shoqëruar me komente degraduese e vulgare.

Grupi u bë publik më 18 gusht, pasi autorja dhe skenaristja Carolina Capria publikoi një screenshot në Instagram dhe u bëri thirrje qytetarëve të raportonin abuzimin. Vetëm dy ditë më vonë, Meta vendosi ta mbyllte faqen për shkelje të politikave mbi shfrytëzimin seksual të të rriturve. Megjithatë, mediat italiane raportojnë se menjëherë pas mbylljes u shfaqën grupe të ngjashme në Facebook dhe Telegram, edhe pse më të vogla në numër.

Ekspertët theksojnë se rasti “Mia Moglie” nuk është i izoluar. Sociologia digjitale Silvia Semenzin paralajmëroi se dhuna gjinore online është bërë “e normalizuar” në platformat e Meta-s, ku shpesh mbizotëron pandëshkueshmëria. Ndërkohë, avokatja Cathy La Torre kritikoi kompaninë për reagim të ngadaltë ndaj rasteve të abuzimit me imazhet e grave të zakonshme, ndërkohë që vepron me shpejtësi vetëm në rastet që lidhen me abuzimin e fëmijëve apo interesat e biznesit.

Skandali ngre pyetje të forta mbi efektivitetin e politikave të Meta-s dhe rolin e institucioneve në parandalimin e dhunës digjitale. Edhe pse Bashkimi Europian ka miratuar Aktin e Shërbimeve Digjitale (DSA), ekspertët thonë se zbatimi i tij mbetet i dobët. Italia, sipas La Torre, mban gjithashtu përgjegjësi pasi mungesa e ligjeve të qarta dhe e ekspertizës në fushën e kibernetikës e lë vendin të pambrojtur përballë fenomeneve të tilla.

Pak ditë pas skandalit me “Mia Moglie”, u mbyll edhe forumi “Phica.eu”, i cili që prej vitit 2005 shpërndante foto intime, deepfake dhe imazhe të manipuluara të grave italiane, përfshirë figura publike. Mbyllja e tij u pa si një fitore e vonuar, por pyetja që mbetet pezull është: çfarë ndodh me fotot pasi ato shpërndahen një herë në internet?