Mbi një milion hektarë pyje të djegura në Evropë, sindikatat paralajmërojnë mungesë zjarrfikësish

Evropa është përballur këtë verë me sezonin më të keq të zjarreve në dekada, ku më shumë se një milion hektarë tokë janë djegur vetëm nga janari deri në gusht 2025. Spanja dhe Portugalia përbëjnë mbi dy të tretat e sipërfaqeve të shkatërruara, ndërsa sindikatat evropiane paralajmërojnë se numri i zjarrfikësve mbetet “jashtëzakonisht i ulët” përballë kërcënimeve në rritje.

Sipas Eurostat, në vitin 2024 Bashkimi Evropian kishte rreth 390,600 zjarrfikës profesionistë, një rritje prej 8% krahasuar me vitin 2023. Gjermania, Franca, Polonia, Italia dhe Spanja kanë forcat më të mëdha, me mbi 40 mijë efektivë secila. Në të kundërt, vende si Qiproja, Danimarka dhe shtetet baltike kanë vetëm nga 1,400 deri në 3,400 zjarrfikës.

Megjithëse shumica e shteteve anëtare rritën rekrutimet, disa vende si Suedia (-23%), Belgjika (-10%) dhe Portugalia (-6%) i ulën ndjeshëm numrat. “Është skandaloze që disa qeveri po shkurtojnë vendet e punës në zjarrfikës pikërisht kur rreziku i zjarreve po rritet”, deklaroi Esther Lynch, sekretare e përgjithshme e Konfederatës Evropiane të Sindikatave (ETUC).

Shpenzimet e BE-së për mbrojtjen nga zjarri arritën në 40.6 miliardë euro në vitin 2023, një rritje prej 8.5% nga viti paraardhës, por sindikatat thonë se kjo është ende e pamjaftueshme përballë pasojave të ndryshimeve klimatike. “Nuk mund të kemi buxhete të ngrira ndërsa zjarret dhe përmbytjet po shtohen”, theksoi Jan Willem Goudriaa, sekretar i përgjithshëm i Federatës Evropiane të Sindikatave të Shërbimit Publik (EPSU).

Në mars 2025, Komisioni Evropian prezantoi një strategji me 30 propozime për forcimin e gatishmërisë ndaj krizave natyrore, përfshirë menaxhimin e zjarreve në pyje. Por sindikatat paralajmërojnë se këto masa mbeten të pafuqishme pa mbështetje të mjaftueshme financiare dhe pa investime të drejtpërdrejta në personel.

Ata kërkojnë që shtetet anëtare të rrisin numrin e zjarrfikësve profesionistë, të përfshijnë parandalimin në politikat e mbrojtjes civile dhe që një pjesë e fondeve të mbrojtjes të ridrejtohet drejt reagimit ndaj fatkeqësive natyrore.