Incident komik me VAR-in në Inter–Udinese, arbitri flet, por mungon audio
Një episod i pazakontë ka ndodhur gjatë ndeshjes Inter–Udinese, duke përfshirë sistemin VAR. Në minutën e 27-të, arbitri Matteo Marchetti u thirr për të shqyrtuar një episod të dyshimtë me dorë nga Dumfries brenda zonës zikaltër, aksion që më pas solli penalltinë e shndërruar në gol nga Davis për barazimin e Udineses.
Pas përfundimit të rishikimit në monitor, arbitri u rikthye në qendër të fushës për të komunikuar vendimin e tij, sipas rregullores së re të Serie A. Megjithatë, ndodhi e papritura: audio nuk u dëgjua as në stadium, as në transmetimin televiziv, duke shkaktuar hutim tek tifozët dhe fishkëllima nga tribuna.
Problemi erdhi për shkak të një defekti teknik në sistemin e prodhimit të Serisë A, duke e kthyer situatën në një skenë komike që menjëherë shpërtheu në rrjetet sociale me reagime ironike.
Ky incident ngre edhe një herë pikëpyetje mbi funksionalitetin dhe menaxhimin teknik të komunikimeve të VAR-it në kampionatin italian.