Dinamo shpartallon Vllazninë në Shkodër, nis Superioren me petkun e pretendentes
Dinamo e Ilir Dajës ka dhënë një sinjal të fortë që në javën e parë të Kategorisë Superiore, duke marrë një fitore bindëse në transfertë ndaj Vllaznisë me rezultatin 1-3 në stadiumin “Loro Boriçi”. Pas eliminimit të dhimbshëm në “play-off” të Conference League kundër Jagiellonia-s, “Nëndetësja Blu” u rikthye me forcë në kampionat, duke treguar se është një prej pretendenteve kryesore për titullin.
Nga ana tjetër, Vllaznia nuk arriti të përsëriste paraqitjen e shkëlqyer të javës së parë, kur kishte mposhtur Egnatian, dhe u ndëshkua rëndë para tifozëve të vet.
Dejvi Bregu lëshoi një goditje të fortë nga krahu i majtë në minutën e 35-të, duke befasuar portierin Jukaj dhe duke u dhënë epërsinë miqve.
Në të 59-tën pas një aksioni të shpejtë, topi përfundoi te Guindo, i cili nuk gaboi përballë portës. Shkodranët protestuan për një prekje të mundshme me dorë nga Karamba, por pas verifikimit me VAR goli u konsiderua i rregullt.
Berisha vulosi fitoren në minutën e 83-të me një goditje të pakapshme nga e majta, duke mbyllur llogaritë e takimit.
Goli i Vllaznisë, i shënuar nga Balaj në kohën shtesë, do të vlente vetëm për statistikë.
Me këtë sukses, Dinamo jo vetëm që merr tri pikët e para, por edhe dërgon një mesazh të qartë rivalëve: skuadra e Ilir Dajës është gati të luftojë seriozisht për titull. Ndërkohë, për Vllazninë ky rezultat është një kambanë alarmi, pasi në përballjet direkte me kundërshtarët për titull nuk ka vend për gabime.