Asllani flet si lider i Torinos: Mund të bëjmë sezon të madh, më kishte munguar roli i titullarit

Kristjan Asllani, mesfushori i Torinos, ka folur për Sky Sport pas barazimit 0-0 të skuadrës së tij kundër Fiorentinës:

“E prisja me padurim momentin për të luajtur me këtë fanellë. Më ka dashur shumë trajneri dhe e falënderoj. Do të mundohem t’ua shpërblej në çdo mënyrë. Sot ishim skuadër nga fillimi deri në fund, duke vuajtur. Për mua jemi një ekip i mirë, që mund të bëjë një sezon të madh, por duhet edhe të vuajmë. Jemi të kënaqur me barazimin, ndoshta meritonim pak më shumë.”

Ku mund të arrijë Torino?

Skuadra është e fortë dhe mund të bëjë shumë. Duhet të përmirësohemi në pasimin e fundit dhe para portës, sepse nuk kemi shënuar ende, por na duhen golat. Kemi një repart ofensiv shumë të madh dhe ata që duhet të kthehen, si Zapata, do të na ndihmojnë shumë.

E ndien si sezonin e provës? Gati për të marrë më shumë përgjegjësi?

Sigurisht, përndryshe nuk do të kisha ardhur. Jam i lumtur që jam këtu dhe ndiej se jam gati për të luajtur. Të isha titullar që në javën e dytë ishte diçka që më kishte munguar. Tek Interi ka një skuadër shumë të fortë, i falënderova të gjithë sepse më ndihmuan. Tani jam te Torino dhe duhet të marr përgjegjësi, sot më shumë mbrojtëse sepse duhej të markoja Gudmundsson-in. Tani do të shkoj me Kombëtaren dhe pastaj kthehem për të punuar edhe më fort.

Cilat ishin kërkesat e para të Baronit?

Misteri pëlqen një futboll ofensiv ashtu si unë, por pamë që Fiorentina kishte dy sulmues dhe i luajtëm me mbulim personal. Më pëlqen trajneri, sfida me Lazion sezonin e kaluar ishte e vështirë, ndërsa tani me të mund të rritem, të mësoj dhe madje edhe të gaboj.