Italia reagon pas deklaratave të kryeminstrit francez: Bashkohuni me ne për të ndërhyrë në BE
Ka reaguar këtë mbrëmje selia e Qeverisë Italiane, Palazzo Chigi, pas deklaratave të kryeministrit francez François Bayrou, i cili akuzoi Italinë për “dumping fiskal” në dëm të Francës.
Gazetarja Alba Kepi raporton për Syrin se, në një shënim zyrtar, të sapo shpërndarë Kryeministria italiane i ka cilësuar këto akuza si “plotësisht të pabazuara”, duke theksuar se ekonomia italiane është sot më atraktive falë stabilitetit dhe besueshmërisë së vendit. Italia – theksohet në reagim – nuk ndjek politika të pajustifikuara për të tërhequr kompani europiane dhe, përkundrazi, me këtë qeveri ka dyfishuar barrën fiskale forfetare për individët që transferojnë rezidencën në Itali.
“Italia prej vitesh është e penalizuar nga të ashtuquajturat ‘parajsa fiskale europiane’, të cilat i kanë shkaktuar humbje të mëdha arkës sonë publike. Shpresojmë që pas deklaratave të kryeministrit francez, Franca të bashkohet me Italinë për të ndërhyrë në Bashkimin Europian kundër atyre shteteve që zbatojnë prej kohësh një dumping fiskal sistematik”, përfundon reagimi i Palazzo Chigi.