Karrica pas dy golave ndaj Tiranës: Shpresoj të jetë trampolinë për një ekip më të madh
Bernard Karrica ishte protagonist në fitoren 3-1 të Vorës ndaj Tiranës, duke shënuar dy gola që vendosën ndeshjen. Pas takimit, ai foli për ndjesitë e tij, pritjen në ekip dhe ambiciet për të ardhmen, duke e konsideruar këtë si një hap të rëndësishëm në Superiore dhe një mundësi për të treguar veten për transferime të mëtejshme.
Karrica shprehu kënaqësinë për performancën personale dhe për ekipin: “Është ndjesi e madhe që në ndeshjen e dytë shënoj dy gola dhe të japin fitoren për ekipin. Shpresoj të vazhdojmë kështu përpara. Më kanë pritur shumë mirë dhe jam shumë i lumtur, grup i mirë, çunat janë perfekt. Si grup jemi mirë mes nesh dhe e treguam edhe në fushë sot.”
Ai tregoi se vendimi për të ardhur te Vora në Superiore ishte një hap i menduar mirë: “Kisha ftesën për të ardhur këtu dhe mendova pse të mos e provoj një herë Superioren. Shpresoj të jetë si trampolinë që të iki në një ekip më të madh apo jashtë.”
Për golin e dytë, Karrica shpjegoi strategjinë individuale: “Është pak individuale, të shmangim mbrojtësit që futen në të gjitha rastet në shtyllën e parë dhe mendova të ndjek hapësirën për topin e dytë. Ashtu bëhen më shumë golat.”
Ai vlerësoi edhe aspektin kolektiv të lojës: “Është mirë po të ndihmosh edhe para, edhe mbrapa. E ke si karakter që nëse ikën para, të ndihmosh ekipin edhe mbrapa.”