Bellaj pas fitores 3-1 ndaj Tiranës: Kjo është puna dhe strategjia jonë

Trajneri i Vorës, Arjan Bellaj, shprehu kënaqësinë e tij pas fitores së rëndësishme 3-1 ndaj Tiranës, duke theksuar se suksesi ishte fryt i punës, strategjisë dhe disiplinës së ekipit. Ai u ndal te momentet vendimtare të ndeshjes, ndryshimet taktike dhe performanca e lojtarëve që bënë diferencën në fushë.

Bellaj filloi duke përgëzuar futbollistët e tij për përkushtimin: “Ne nuk shohim shifrat, në radhë të parë dua të përgëzoj çunat për atë që kemi dhënë sot. Dhamë gjithçka me Partizanin, edhe sot. U thashë djemve që dujet të japim gjithçka që të marrim maksimumin në Superiore.”

Trajneri nuk e fshehu as nervozizmin për disa momente të pjesës së parë: “Isha i nevrikosur për dy veprime që i kishim punuar, e dinim si do dilte Tirana dhe e pësuam tek ato që kemi punuar më mirë. Por pas zëvendësimeve dhe ndryshimeve taktike, ekipi reagoi mirë.”

Bellaj tregoi se ndërhyrjet taktike kishin për qëllim të ruanin ekuilibrin në fushë: “Ne e kthyem me rreshtimin 5-4-1 dhe humbëm pak fuqinë, por ishte e nevojshme për të mbajtur kundërshtarin nën kontroll. Edhe lojtarët që u futën treguan nivel të lartë dhe jam i kënaqur me performancën e tyre.”

Ai foli edhe për planet e merkatos: “Besoj se do të kemi edhe një blerje të re. Ishte këtu sot, pres edhe unë ta nxjerrin që kemi marrë një lojtar të ri. Me atë e mbyllim.”

Në fund, Bellaj analizoi momentet vendimtare që sollën diferencën: “Tirana kishte parë pikat tona të forta, por ne guxuam më shumë në pjesën e dytë. Bardhi dhe Karrica shfrytëzuan shpejtësinë dhe krijuan golat e bukur. Strategjia funksionoi, dhe ky është rezultati i punës tonë.”