'Nuk do braktisim asnjë llogore beteje'/ Kaso: Mandatet e reja, mundësi për PD-në të afirmojë strategjinë dhe vizionin e saj
Partia Demokratike ndodhet në një moment vendimtar, ndërsa mes dilemës për pranimin apo refuzimin e mandateve, strukturat e saj pritet të mblidhen për të përcaktuar strategjinë e aksionit politik në legjislaturën e re.
Deputeti i zgjedhur Ivi Kaso thekson se procesi i vendimmarrjes brenda forumeve të PD është i nevojshëm për të dhënë një drejtim të qartë për opozitën.
“Dilema është legjitime, që opozita të përballet me këto institucione, pavarësisht që nuk ia njeh legjitimitetin, apo thjesht të mjaftohet me mosnjohjen dhe injorimin e tyre. Ditët e para të muajit shtator, Kryesia e PD, Këshilli Kombëtar dhe – unë kam propozuar bashkë me shumë kolegë të tjerë – mbajtjen e një Kuvendi Kombëtar në një kohë të afërt, i cili do të përcaktojë piketat kryesore të aksionit politik të Partisë Demokratike dhe do të marrë vendimmarrje të rëndësishme,” shprehet Kaso.
Ndërsa të vjetrit favorizojnë rrugë radikale, të rinjtë e partisë mbështesin opsionin e betejës brenda institucioneve. Deputeti i zgjedhur shprehet se PD nuk ka luksin të braktisë asnjë “llogore beteje” dhe duhet të marrë mandatet, duke përdorur Parlamentin edhe për të luftuar për të drejtat e qytetarëve.
Përveç strategjisë për mandatet, PD po planifikon edhe një proces të thellë rifreskimi dhe riformatimi të strukturave të saj. “Kjo analizë duhet të fillojë nga lart-poshtë, duke përfshirë vlerësimin e Kryesisë, drejtuesve politikë dhe sekretarëve, deri tek çdo seksion lokal. Pas një procesi elektoral si ai i 11 majit, partia ka nevojë të hapë rrugën për brezin e ri që të marrë përgjegjësitë e veta politike dhe organizative,” shton Kaso.
Për realizimin e kësaj analize, propozohet ngritja e një grupi pune të përbërë nga personalitete të PD që nuk ishin pjesë e garës elektorale të 11 majit. Nga ky proces, sipas Kasos, duhet të amnistohet vetëm kryetari Sali Berisha, i cili ka dhënë kontributin më të madh për partinë.