VIDEO/ Goli i Haaland-it nuk mjafton, Manchester City përmbyset nga Brightoni, vendos goli i një shqiptari

Manchester City pësoi humbjen e dytë të sezonit në javën e tretë të Premier League, pasi u mposht 2-1 nga Brightoni në “Amex Stadium”, në një ndeshje plot emocione dhe episode vendimtare.

Brighton-Mancheter City 2-1

Skuadra e Pep Guardiolës e nisi më mirë takimin dhe gjeti avantazhin në minutën e 34-t, kur Erling Haaland përfitoi nga një aksion i ngatërruar në zonë dhe shënoi golin e tij tipik, duke kaluar City-n në epërsi. Pak minuta më parë, norvegjezi u ndal nga një pritje e shkëlqyer e portierit Bart Verbruggen.

Në pjesën e dytë, Brightoni u hodh në sulm dhe në minutën e 65-t fitoi një penallti, pas një faulli me dorë të Matheus Nunes, vendim i konfirmuar edhe nga VAR-i. James Milner, i freskët nga stoli, u tregua i saktë nga pika e bardhë duke barazuar shifrat në 1-1. Pak më vonë, Yankuba Minteh dhe Gruda patën raste të pastra, por u ndalën nga portieri Trafford.

Në minutat e fundit, presioni i vendasve u shpërblye. Në të 89-tën, Kaoru Mitoma dha një asist fantastik për Brajan Grudën (ka luajtur me Gjermaninë me moshat deri te U-21), i cili i vetëm përballë portierit e dërgoi topin në rrjetë për rezultatin 2-1.

City tentoi të reagonte, por dëmtimi i Khusanov dhe mungesa e qartësisë në fazën ofensive i kushtuan shtrenjtë. Kështu, Brighton mori një fitore prestigjioze, ndërsa kampionët në fuqi u larguan duarbosh nga “Amex”, duke lënë shenja të dukshme pasigurie në këtë fillim sezoni.