Prezantohet Nkunku: Krenar dhe i emocionuar që jam këtu, nuk dua t’i vë kufij vetes
Christopher Nkunku është prezantuar zyrtarisht si futbollist i Milanit. Francezi, i transferuar nga Chelsea, ka dhënë fjalët e para për kanalet zyrtare të klubit:
“Jam shumë i emocionuar. Që nga momenti i parë isha i bindur për projektin dhe jam i lumtur që ndodhem këtu”, tha ai.
Sulmuesi ofron qartësi mbi stilin e tij të lojës:
“Jam lojtar teknik, më pëlqen të luaj me shokët e skuadrës, të krijoj lidhje dhe të jap asiste ose të shënoj. Mendoj gjithmonë për skuadrën, më pëlqen të luftoj dhe të jap gjithçka. Më pëlqen të luaj pranë sulmuesit kryesor ose edhe si qendërsulmues, duke lëvizur në hapësira dhe duke dialoguar me repartin ofensiv. Ky është stili im.”
I pyetur për ndjenjat e para si lojtar kuqezi, francezi shtoi:
“Jam krenar, shumë krenar. Kam fituar përvojë në Angli dhe Gjermani, tani jam gati të zbuloj një vend të ri dhe një kampionat të ri. Po pres me padurim të nis këtë sezon.”
Nkunku, një nga blerjet më të shtrenjta në historinë e klubit, ka zgjedhur fanellën me numrin 18:
“Është një numër që gjithmonë më ka pëlqyer. E kam mbajtur edhe më parë dhe me kohën është bërë edhe më i veçantë për arsye personale.”
Ai ka zbuluar gjithashtu rolin e Mike Maignan në zgjedhjen e tij për t’u bashkuar me Milanin:
“Kam një raport shumë të mirë me Mike. Biseduam për shumë gjëra, ai më foli vetëm mirë për klubin. Personalitetet tona janë të ngjashme dhe ai më bindi menjëherë.”
Për lojtarët me të cilët do të ndajë dhomën e zhveshjes, francezi shprehet:
“Është kënaqësi të jesh pranë lojtarëve të mëdhenj. E dimë të gjithë se cilat janë ambiciet e Milanit: të fitojë. Jam i lumtur që do të luaj me lojtarë si Rafa Leao, e kam sfiduar Modric si kundërshtar, por tani do të kem mundësi të bashkëpunoj me yje të tjerë për të mirën e skuadrës.”
Sa u përket objektivave personalë, ai nuk ka dashur të kufizohet:
“Nuk dua të vendos limite. Dua vetëm të përmirësohem çdo ditë dhe të jap maksimumin. Do ta shohim në fund të sezonit ku do të arrijmë.”