SYRI TV/ Tiranë, operacion anti drogë, kapet 1 kg kokainë
Rreth 1 KG kokainë e sekuestruar, 4 persona të vënë në pranga, është ky bilanci i operacionit ‘Twins’ të zhvilluar nga Policia e Tiranës.
Operacioni është zhvilluar pas një hetimi proaktiv të seksionit të trafiqeve, në një lokal në zonën e Myslym Shyrit.
Në pranga janë vënë Armet Latifaj, Gëzim Pashaj, Petros Koronoias, Jastin Zaimi, si dhe u sekuestruan 1 kg e 65 gramë kokainë.
Sipas policisë, personat në fjalë e mbanin kokainën në një lokal dhe më pas, sipas kërkesave, e shisnin me copa.
Shpërndarja dhe shitja kryhej nga Armet Latifaj dhe Gëzim Pashaj, të cilët për të konfuzuar policinë përdornin dy mjete të cilat ishin të ngjashme me njëra-tjetrën.
Ndërkohë, dy shtetasit grekë janë arrestuar dhe akuzohen për ‘Mos kallëzim krimi’, pasi ishin shokë të Latifajt dhe Pashajt dhe nuk kanë denoncuar aktivitetin e tyre kriminal.
Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar dhe dy mjetet që përdoreshin për shitjen dhe shpërndarjen e lëndës narkotike, 4 celularë, një shumë parash dhe telefonat e personave të arrestuar.
Tashmë, policia materialet ia ka kaluar Prokurorisë së Tiranës për hetime të mëtejshme në lidhje me këtë aktivitet kriminal.