Kuvendi pa konsensus/ PDK-LDK: Mbledhja e Kryesisë është antikushtetuese

 Kryeparlamentari Dimal Basha pritet të mbajë nesër në orën 13:00 mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, pas dështimit të zgjedhjes së nënkryetarit të pestë të Kuvendit, nga radhët e komunitetit serb.

Por Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës kundërshtojnë këtë vendim. Vendimin për të mos marrë pjesë e ka dhënë Kryetarja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Hykmete Bajrami.

“Jo, absolutisht sepse konsiderojmë që çdo gjë që ndodh pas mbylljes arbitrare të seancës, pa konstituimin e Kuvendit, është antikushtetuese. Nuk do të marrim pjesë,” ka shkruar Bajrami.

PDK e ka konsideruar mbledhjen e thirrur të hënën si të pakuptimtë, pasi Kuvendi nuk është konstituuar ende dhe për këtë arsye deklaruan se nuk do të marrin pjesë në të. Kjo parti i ka konsideruar këto zvarritje si qëllimshme dhe të rrezikshme, të cilat nuk i shërbejnë interesave të vendit, por axhendave partiake.

Deklarata e PDK:

 “Zvarritjet e qëllimshme në procesin e themelimit të institucioneve shtetërore të shkaktuara nga VV-ja, janë skajshmërisht të rrezikshme për Kosovën. Sot, Kryetari i Kuvendit shpalli të përfunduar konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, pa u zbatuar në tërësi Neni 67 i Kushtetutës së Kosovës. Për Partinë Demokratike të Kosovës, Kuvendi ende nuk është i konstituuar, sepse nuk është zgjedhur Kryesia e tij në përbërjen e plotë kushtetuese. Në këto rrethana, PDK e konsideron të pakuptimtë ftesën për takim të Kryesisë së Kuvendit që nuk është konstituuar dhe nuk merr pjesë në takime të tilla, të cilat i shërbejnë vetëm agjendave partiake e jo interesit të shtetit”, thuhet në deklaratw e PDK-së.