Premier League/ Një penallti me VAR në shtesë i ‘dhuron’ fitoren dramatike Manchester United
Manchester United ka marrë fitoren e parë për sezonin e ri në Premier League, pasi mposhti Burnleyn në frymën e fundit në “Old Trafford” me shifrat 3-2.
Në minutën e 17-të, Kyle Walker humb topin brenda në zonë dhe aty përfiton Mason Mount, i cili pengohet brenda zonës nga ish-mbrojtësi i Man. United, por tani luan për Burnleyn.
Fillimisht arbitri kryesor i takimit tregoi gishtin nga pika e bardhë e penalltisë, por duke mos qenë i bindur dhe pas sinjalizimit nga VAR, vendosi të shohë vetë pamjet në ekran dhe ndryshoi mendje, duke anuluar vendimin e mëparshëm për penallti.
Vendimi i arbitrit kryesor të takimit, Samuel Barrot, zemëroi pa masë lojtarët e United dhe tifozët, por “Djajtë” nuk u dorëzuan dhe gjetën avantazhin pak minuta më pas.
Në minutën e 27-të, Bruno Fernandes kroson nga goditja anësore e dënimit, Casemiro godet me kokë traversën dhe topi përplaset me mesfushorin difensiv të Burnley, Josh Cullen dhe përfundon në rrjetë.
Pjesa e parë përfundon 1-0 për United.
Burnley barazon shifrat në 1-1 në minutën e 55-të, Lyle Foster shënon pas asistit të Bruun Larsen.
Megjithatë, “Djajtë” u rikthyen sërish në avantazh vetëm dy minuta më pas, ku Bryan Mbeumo shënon golin e parë me fanellën e Man. United, pas asistit të Dalot.
Në minutën e 66-të, Jaidon Anthony barazon sërish shifrat në 2-2, pas një rrëmuje në zonë.
Golin e fitores për vendasit e shënoi Bruno Fernandes nga pika e bardhë e penalltisë në minutën e 90+6.
Përsa i përket Armando Brojës, sulmuesi kuqezi nuk ishte fare i grumbulluar për këtë takim, pasi nuk është ende gati, pavarësisht se luajti në mesjavë për 63 minuta, në EFL Cup.
Në ndeshjet e tjera, Jack Grealish ka rilindur duke asistuar dy herë në fitoren e Everton 2-3 në transfertë ndaj Wolves. Sunderland i Xhakës fitoi në frymën e fundit 2-1 shtëpi ndaj Brentford.
Ishte pikërisht mesfushori me origjinë shqiptare që dhe asistin për golin e fitores në minutën e fundit shtesë.
Krosim eprfekt i Xhakës, Isidor dërgon me kokë topin në rrjetë.
Surprizë e madhe është padyshim humbja e Tottenham në shtëpi 0-1 ndaj Bournemouth.
“Gjelat e Londrës” vinin pas dy fitoreve bindëse në dy javët e para, por sot zhgënjyen para tifozëve të tyre.
Fatin e takimit e vendosi goli i Evanilson në minutën e 5-të të takimit.