Itali/ 15 kg kokainë dhe dhjetëra mijëra euro, prangosen dy shqiptarë
Policia italiane ka arrestuar dy emigrantë shqiptarë, 36 dhe 25 vjeç, pasi janë kapur në flagrancë me një sasi të konsiderueshme droge dhe para të përfituara nga shitja e saj.
Operacioni është zhvilluar gjatë ditës së djeshme nga policia e Peruxhias, gjatë kontrolleve në lagjen Sant’Enea.
Shqiptarët u ndaluan në momentin e shkëmbimit të rreth 2 kilogramëve lëndë narkotike. Njëri prej tyre tentoi të hidhej në arrati duke u përpjekur të zhdukte provat, por u neutralizua menjëherë nga agjentët.
Tjetri u ndalua në automjetin e tij, ku policia zbuloi 70 mijë euro të fshehura në një vend të modifikuar dhe në një çantë.
Kontrollet e mëtejshme në Umbria dhe në banesën e njërit prej të arrestuarve në Castelnuovo Berardenga, provinca e Sienës, çuan në sekuestrimin e 12 kilogramëve të tjerë kokainë dhe mbi 23 mijë euro në para kesh.
Në total, policia bllokoi mbi 15 kilogramë drogë dhe rreth 100 mijë euro, duke i dhënë një goditje të fortë rrjetit të shpërndarjes së narkotikëve në zonë.