Asetet ruse të bllokuara nga BE/ Ashpërsohet Kallas: Nuk do t’i kthehen nëse nuk i paguan kompensim Ukrainës

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, deklaroi se nuk është e mundur të imagjinohet brenda Bashkimit Evropian kthimi i pasurive ruse që janë bllokuar për shkak të luftës në Ukrainë, përveçse nëse Moska paguan dëmshpërblime.

“Nuk mund të imagjinojmë se, nëse ka një armëpushim ose marrëveshje paqeje, këto pasuri do t’i kthehen Rusisë nëse ata (rusët) nuk paguajnë dëmshpërblim”, tha Kallas për gazetarët para një takimi të ministrave të Jashtëm të BE-së në Kopenhagë.

Bashkimi Evropian ka deklaruar se pasuritë ruse me vlerë rreth 210 miliardë euro janë bllokuar në BE, në përputhje me sanksionet që janë vendosur ndaj Moskës për shkak të pushtimit të Ukrainës.

Ukraina dhe disa shtete të BE-së, përfshirë Poloninë dhe vendet baltike, kanë kërkuar që BE të konfiskojë këto pasuri dhe t’i përdorë për të mbështetur Kievin.

Megjithatë, Franca dhe Gjermania, si dhe Belgjika, që mban pjesën më të madhe të pasurive ruse, e refuzojnë këtë kërkesë.

Ato argumentojnë se BE ka parashikuar përdorimin e të ardhurave të mundshme nga këto pasuri për të shlyer mbështetje financiare për Ukrainën dhe dyshojnë nëse ka një bazë ligjore për konfiskimin e tyre.

Diplomatët thonë se tani debati publik është fokusuar në mënyrën se si mund të përdoren këto fonde pasi të mbarojë lufta në Ukrainë.