U shpall në kërkim nga SPAK, vetëdorëzohet inspektori i IMT, Klajdi Zhilla: E mësova nga mediat...
Klajdi Zhilla, inspektori i IMT-së i shpallur në kërkim disa ditë më parë gjatë një operacioni të përbashkët të Policisë së Shtetit dhe SPAK, është vetëdorëzuar mbrëmjen e djeshme në Policinë e Tiranës. Ai ka qenë i shoqëruar nga avokati i tij në momentin e paraqitjes pranë autoriteteve.
Gazetari i Syri TV, Fatjon Gjinaj, bën të ditur se Zhilla akuzohet për korrupsion pasiv në ushtrimin e detyrës si pjesë e strukturave të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit. Në dëshminë paraprake, ai ka deklaruar se nuk ka qenë në dijeni që ishte shpallur në kërkim dhe se e ka mësuar këtë fakt vetëm përmes lajmeve në media.
Ndërkohë, këtë të shtunë në orën 10:00, në gjykatë ka nisur seanca për vlerësimin e masës së sigurisë ndaj inspektorit tjetër të arrestuar, Geraldo Fuçia, i cili është përfshirë në të njëjtin hetim për korrupsion dhe abuzim me detyrën.
Operacioni i fundit i SPAK ka vënë në shënjestër disa zyrtarë të IMT-së dhe institucioneve të tjera vendore, të dyshuar për shpërdorim detyre dhe marrëveshje korruptive lidhur me lejet e ndërtimit dhe ndërhyrjet urbane në kundërshtim me ligjin.