Të premten iu rrafshua resorti 'buzë' detit/ Ish-kreu i IMT Durrës del sot para gjykatës

Gjykata e Durrësit pritet të zhvillojë sot seancën gjyqësore ndaj shtetasit Ardian Halili, ish-kreu i IMT, Durrës. Një ditë më parë, IKMT i rrafshoi resorin të cilin e kishte ndërtuar pa leje në zonën bregdetare të Durrësit

Resorti u shemb me shpërthim të kontrolluar, ku forcat xheniere realizuan shembjen e godinës 2-katëshe të resortit, ndërsa objektet e tjera më të vogla u shembën me fadromë.

Nga verifikimet rezultoi se ‘Saint Michelle Residence’ u ndërtua pa leje në një sipërfaqe prej 5600 m2, ku përfshiheshin dhoma hoteli, 11 garsionere, pishinë, një ambient sportiv dhe një restorant, u ndërtua nga viti 2018 e në vazhdim, periudhë gjatë së cilës Halili ishte në krye të IMT-së deri në 2021.

Ndërtimet vijuan dhe pas ikjes së tij nga ky post. Halili është bashkëshorti i ish-prokurores së Durrësit, Rabiana Halili, e cila dha dorëheqjen gjatë procesit të Vetting-ut.

Që nga dita e hënë kur ka nisur aksioni për prishjen e objekteve të paligjshme në këtë pjesë të bregdetit të Adriatikut janë shembur rreth 55 objekte.