1 mijë euro për të mos prishur tendën, inspektorët e IMT-së së Tiranës dalin sot para GJKKO-së
Inspektorët e IMT-së, të akuzuar se morën ryshfet 1 mijë euro për të mos prishur tendën e një lokali në Kombinat, dalin sot në orën 10:00 para GJKKO për t’u njohur me masën e sigurisë.
Klajdi Zhilla, inspektori i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT), i shpallur në kërkim gjatë një operacioni të zhvilluar nga policia dhe SPAK, ka vendosur të vetëdorëzohet mbrëmjen e kaluar në Komisariatin e Policisë së Tiranës, i shoqëruar nga avokati i tij. Zhilla, i akuzuar për korrupsion pasiv, ka deklaruar se nuk kishte dijeni për statusin e tij si të kërkuar dhe se e kishte mësuar këtë fakt përmes mediave.
Ndërkohë, këtë të shtunë, në orën 10:00, ka nisur seanca për vlerësimin e masës për inspektorin e arrestuar, Geraldo Fuçia, i cili është akuzuar për kërkim ryshfeti në lidhje me një rast korrupsioni. Fuçia, bashkë me një koleg tjetër inspektor, do të dalë para Gjykatës së Posaçme, GJKKO, për t’u njohur me masën e sigurisë.
Sipas hetimeve, inspektorët e IMT-së janë të akuzuar se kanë marrë një ryshfet prej 1 mijë eurosh për të mos prishur një tendë të një lokali në zonën e Kombinatit. Pronari i lokalit ka kallëzuar punonjësit, duke pretenduar se ata i kishin ofruar një marrëveshje për të mos i prishur tendën në këmbim të shumës prej 1 mijë eurosh. Policia, me miratimin e SPAK-ut, ka nisur përgjimet dhe më pas ka organizuar një simulim të dorëzimit të parave.
Në momentin kur 1 mijë eurot iu dorëzuan Klajdi Zhillës, tre kolegët e tij po e prisnin brenda një lokali tjetër aty pranë. Policia ka ndërhyrë menjëherë dhe gjatë aksionit inspektorët kanë fshehur paratë në një gotë në banakun e lokalit. Klajdi Zhilla ka mundur të largohej me një automjet tip “Audi”, ndërkohë që tre të tjerët janë ndaluar nga policia.
Përveç Zhillës, që u shpall në kërkim për veprën penale të korrupsionit pasiv, vetëm Geraldo Fuçia ka mbetur i arrestuar dhe ka akuzën për kërkim të ryshfetit. Dy inspektorë të tjerë dhe menaxheri i lokalit, i dyshuar për ndihmën në fshehjen e parave, po hetohen në gjendje të lirë.
Policia ka sekuestroi paratë që u gjetën në banakun e lokalit, të cilat përputheshin me numrat serialë të kartëmonedhave që policia i kishte dhënë kallëzuesit. Megjithatë, gjatë kontrollit janë gjetur edhe 3 mijë euro dhe 27 mijë lekë, me dyshime se këto mund t’i kenë marrë subjekte të tjera në këmbim të mosprishjes së tendave pa leje.