Pekini synon pavarësinë teknologjike, Huawei dhe Alibaba sfidojnë dominimin e Nvidia

Kina ka hyrë në një fazë vendimtare të strategjisë së saj për të zhvilluar dhe prodhuar teknologji brenda vendit, me qëllim që të zvogëlojë varësinë nga teknologjia e huaj veçanërisht nga Shtetet e Bashkuara dhe ndikimi i politikave të paparashikueshme të Donald Trump.

Gjigandët kinezë të teknologjisë si Huawei dhe Alibaba po përgatiten të sfidojnë dominimin e kompanive amerikane si Nvidia, lideri global në prodhimin e çipeve për inteligjencën artificiale. Edhe pse Nvidia ka arritur të rifillojë pjesërisht shitjet drejt tregut kinez me çipet H20 një version i kufizuar krahasuar me produktet e saj më të avancuara autoritetet kineze kanë shprehur shqetësime në lidhje me sigurinë kombëtare.

Për të zvogëluar hendekun teknologjik me SHBA-të, Pekini po nxit kompanitë e veta që të zhvillojnë procesorë të avancuar për inteligjencën artificiale. Në këtë kuadër, Huawei ka nisur ndërtimin e tre impianteve të reja që pritet të hyjnë në funksion deri në vitin 2026.

Kapaciteti i tyre i kombinuar mund të tejkalojë edhe atë të Semiconductor Manufacturing International Corporation (SMIC), partneri aktual strategjik i Huawei-t. Në të njëjtën kohë, edhe vetë SMIC synon të dyfishojë prodhimin e çipeve 7-nanometërshe brenda 12 muajve të ardhshëm, për të furnizuar më mirë tregun vendas me teknologji të avancuar.

Megjithatë, përballë këtij plani ambicioz, Kina duhet të zgjidhë dy sfida madhore. Së pari, konkurrenca mes vetë kompanive kineze po pengon bashkëpunimin. Huawei shihet më shumë si rival sesa si partner nga aktorë të tjerë si Alibaba, të cilët ngurrojnë të bëjnë porosi në masë te kompania, ndonëse qeveria e inkurajon një gjë të tillë. Për të arritur nivelet e Nvidia-s, bashkëpunimi mes gjigandëve vendas është i domosdoshëm.

Së dyti, zinxhiri i furnizimit vazhdon të ketë varësi nga jashtë. Edhe një hallkë e vetme që mbështetet në importe nga SHBA do të pengonte objektivin strategjik të vetë-mjaftueshmërisë teknologjike.

Sfida tjetër është në aftësinë për të trajnuar modelet e inteligjencës artificiale. Inxhinierët kinezë janë ankuar se çipet vendore, përfshirë ato të Huawei-t, hasin vështirësi gjatë përdorimit nga mbinxehja deri te prishjet e papritura. Edhe çipi i fundit i prodhuar nga Alibaba nuk është projektuar posaçërisht për fazën e trajnimit të modeleve IA. Në këtë drejtim, kompanitë kineze mbeten ende pas konkurrentëve perëndimorë.